Politikë

Frikë nga Kryemadhi që mund të kandidojë si e pavarur? Meta: S’i druhem askujt!

Meta u shpreh se nuk i druhet askujt dhe premtoi se rezultati i Partisë së Lirisë në këto zgjedhje do të jetë shumë më i lartë se rezultati më i mirë që LSI-ja ka pasur ndonjëherë në Tiranë.

F.I
Frikë nga Kryemadhi që mund të kandidojë si e pavarur? Meta:
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

TIRANË-Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për mediat është pyetur nëse ka frikë nga Monika Kryemadhi, e cila pritet të kandidojë si e pavarur në Qarkun e Tiranës. Meta u shpreh se nuk i druhet askujt dhe premtoi se rezultati i Partisë së Lirisë në këto zgjedhje do të jetë shumë më i lartë se rezultati më i mirë që LSI-ja ka pasur ndonjëherë në Tiranë.

“Frikë nga Monika Kryemadhi si një kandidate e pavarur? Ilir Meta do të udhëheqë Partinë e Lirës dhe listën e saj në kryeqytet dhe në Qarkun e Tiranës, sepse është qarku më i madh i vendit tonë dhe nuk i druhet kreut të narko-shtetit dhe instrumenteve mafiozë të tij dhe askujt tjetër, gjithmonë duke respektuar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Qarkut të Tiranës. Krenar sepse kam bërë shumë vepra të mira për Tiranën. I kam kthyer parkun “Rinia”, ia kam kthyer unë si kryeministër. Bëra mirë që i prisha ato kioskat dhe i ktheva parkun kryeqytetit, sepse po të mos e kisha bërë atë gjë, ky do prishte kioskat dhe do bënte ato kullat 300-katëshe. I kam marrë në mbrojtje zonën historike si kryeministër dhe ky pastaj kur i mori të gjitha pushtetet vetë, e shembi teatrin atje dhe shkatërroi zonën, vetëm për projekte korruptive dhe kam bërë shumë gjëra të thera në Tiranë. Kam shumë arsye për të përfaqësuar të gjithë qytetarët e Tiranës, por jo vetëm. Rezultati i PL-së do të jetë fantastik në Qarkun e Tiranës, shumë më lartë se rezultati më i mirë që ka pasur ish-LSI në kohën që e drejtoja unë”, u shpreh Meta.

Më herët, Meta ka treguar se Partia e Lirisë ka nisur përgatitjet në të gjithë vendin dhe pa asnjë diskutim ka nisur përgatitjet edhe në qarkun e Tiranës, ku ai vetë do të kandidojë si deputet.

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë në proces divorci, ku pas 26-vitesh martesë vendosën të ndahen. Në padinë e dorëzuar në Gjykatë, Meta rendit edhe shkaqet e ndarjes mes çiftit, ku më kryesorja është politika dhe këndvështrimet e ndryshme që ata kanë për këtë rë fundit. Në kërkesën për divorc që konfirmon fundin e një martesë 26-vjeçare, Ilir Meta thotë se politika është ajo që e ndau me Monika Kryemadhin. Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u shfaq dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë, la jashtë tyre Kryemadhi. Të dy shkëmbyen dhe polemika gjatë mbledhjeve të forumeve drejtuese të Partisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB