TIRANE- Një grup drejtuesish demokratë, nga strukturat e ndryshme të Partisë Demokratike, janë në fazën finale të organizimit të një lëvizjeje të re politike brenda partisë, e cila duket se do të sfidojë drejtpërdrejt hegjemoninë e Sali Berishës. Ish-deputeti Ferdinand Xhaferri ka konfirmuar për "TemA" se kjo nismë vjen nga vetë baza e partisë, dhe sipas tij, do të gjejë mbështetje të gjerë në elektoratin e djathtë.
Sipas Xhaferrit, kjo lëvizje e re do të funksionojë si një “Foltore 2”, duke ndjekur modelin që përdori vetë Berisha pas përjashtimit të tij nga Lulzim Basha. Por këtë herë, qëllimi është krejtësisht i ndryshëm: t’i japë PD-së një drejtim të ri, larg, siç e cilëson ai, "axhendës personale" të liderit aktual.
“Partia Demokratike nuk e meriton të kthehet në muze vetëm sepse kryetari ka një agjendë personale. Ajo ka nevojë për tryeza reale me anëtarësinë, për të diskutuar dhe për të folur për të ardhmen, jo për të mbajtur peng të kaluarën,” – shprehet Xhaferri.
Duke folur me metafora, Xhaferri i quan “gjeneralë” drejtuesit aktualë të partisë, të cilët sipas tij kanë përvojën, por janë të kapur nga lidershipi dhe nuk marrin guximin të flasin. Sipas tij, nëse gjeneralët hezitojnë, atëherë në skenë do të hyjnë “kolonelët”, njerëz me potencial e mbështetje në bazë, që do të sjellin frymën e ndryshimit.
“Nëse gjeneralët nuk guxojnë, do të dalin kolonelët. Dhe ju e patë që zoti Murrizi tha se ka dëshirë të kandidojë për kryetar partie. Ky është një mesazh i qartë: ai që është sot, nuk bën. E njëjta gjë po ndodh edhe me shumë të tjerë. Kjo nuk është për karrierë personale. Unë e kam mbyllur me drejtimin e PD-së. Por kjo lëvizje do të fokusohet te procesi, jo te emrat. Dhe besoj që vjeshta do të jetë stina e ndryshimit për opozitën,” – shton ai.
Ai u përgjigjet edhe atyre që thonë “PD duhet të ndryshojë, por të mos ikë Berisha”, duke i konsideruar si alibi që nuk e ndihmojnë dot ringritjen reale të partisë./ZERI