
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të rrëzojë kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend. Në kërkesën e tij, Berisha nëpërmjet avokatëve të tij kundërshtoi vendimin e SPAK për të qëndruar në "arrest shtëpie". Masë sigurie që e ndalon të dalë nga banesa e tij.
Gjatë seancës së sotme, avokatët e Berishës kërkuan që kryedemokrati të lejohet që të shkojë në Kuvend, pasi i rrezikohet mandati, nëse nuk paraqitet për gjashtë muaj.
Avokati i kreut demokrat Sali Berisha, Genc Gjokutaj e ka quajtur vendimin si një puç antikushtetues.
“Ky është një puç kushtetues për herë të dytë e kësaj gjykata që ka shkelur kushtetutën dhe gjithë ligjet proceduriale. As më shumë e as më pak gjykata dhe SPAK si aleat dhe partner në këtë proces kanë konceptin që zoti Berisha është një punëmarrës dhe si i tillë nuk mund të lejohet të shkojë në punë ndërkohë që kërkesa jonë ka një objekt krejt tjetër. Zoti Berisha është deputet i Kuvendit. Është i zgjedhur dhe pjesëmarrjen në seanca e ka detyrë funksionale, detyrë të cilën nuk ka një vendim të Kuvendit që të mos e lejojë që të marrë pjesë në Kuvend”, tha Gjokutaj në një prononcim për mediat.
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha po qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, që nga data 30 dhjetor 2023, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme, që ka rënduar masën fillestare të caktuar ndaj tij, me argumentin se ai nuk iu bind vendimit fillestar, për t’u paraqitur në policinë gjyqësore./ZËRI/