Politikë

“Gozhdë për xhenion”, kompania e zv.ministres merr tender në shkelje me ligjin, e vetme në garë

Përveç shkeljes së ligjit për konfliktin e interesit, kompania në pronësi të Toles dhe familjarëve të saj e ka fituar tenderin pa garë, ofroi më shumë se 90% të shumës së fondit limit

E.K
“Gozhdë për xhenion”, kompania e zv.ministres merr tender
Zevendesministrja Tole dhe forcat xhenio

TIRANË- Zëvendësministrja e Arsimit Albana Tole është vënë nën akuzë nga Partia Demokratike, për shkelje të ligjit për konfliktin e interesit, pasi edhe pse në një post shtetëror është pronare e 15% të aksioneve në një kompani private, e cila ka fituar një tender të majmë nga një tjetër ministri. Pikërisht Ministria e Mbrojtjes.

Kompania “Tirana Due SHPK” ka përfituar 64.3 mln lekë të reja nga Ministria e Mbrojtjes, në një tender që është kryer në 3 Korrik të këtij viti. Nga verifikimi i bërë nga Zëri.ai rezulton se Tole është aksionere me 15% në kompani, ndërkohë që pjesa tjetër i takon familjarëve të saj, më së shumti babait dhe motrës së saj.

Aksionerët në kompani:

Edmond Tole 45%,

Skerdi Vaso 10%,

Adrian Dado 15%,

Rezarta Tole 15%,

Albana Tole 15%

Në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit thuhet qartë se Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministri dhe zëvendësministri:

b) nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme

c) nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.

Në këtë rast zëvendësministrja ose duhet të ishte përjashtuar nga shoqëria tregtare, ose nuk duhet të kishte pranuar detyrën shtetërore që i është propozuar, pikërisht në muajin Nëntor të vitit 2021, duke pasuar në këtë pozicion Oltion Rrumbullakun.

Tenderi i cili u mbajt në Korrik të këtij viti ishte për “Blerje materialesh për xhenion”, që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 64.342 milionë lekë, (të reja). Në dokumentet e tenderit përshkruheshin dhe materialet që do të bliheshin si: shufra, kaçavida, gozhdë e të tjera, ndërsa është planifikuar që të shpenzohen 66 milionë lekë të rinj.

“Gozhdë për xhenion”, kompania e zv.ministres merr tender
Tenderi i fituar nga kompania e Toles

Kompania në pronësi të zv-ministres dhe familjarëve të saj ka qenë e vetme në garë, ndërkohë që oferta e tyre ishte 64.342 milionë lekë, pra sa gati 90% e fondit limit. Në shumë rekomanime të bërë së fundi për autoritetin e prokurimeve publike, është bërë thirrje që të shmangen tenderat me një konkurent, dhe të bëhen të gjitha përpjekjet për nxitjen e konkurencës ndërmjet operatorëve ekonomikë në treg.

E kontaktuar përmes email-it nga Zëri.ai, zëvendësministrja Tole nuk ka pasur një reagim deri në momentet e këtij shkrimi që është postuar nga redaksia. Një reagim për çështjen nuk ka pasur as nga vetë Ministria e Arsimit ku bën pjesë zonja Tole, dhe as nga Ministria e Mbrojtjes që i ka hapur rrugën tenderit në fjalë, afati i të cilit përfundon në Dhjetor të këtij viti.

Sipas transaksioneve nga thesari i shtetit, kompania ku u është pronare aktive edhe zv.ministrja, ka përfituar 555.306.360 milion lekë të vjetra të gjitha nga Ministria e Mbrojtjes (Reparti Ushtarak Nr.4300 Tirane), në harkun kohor të një viti (për tenderin e sipërpërmendur)./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB