Politikë

Sulmi në Kosovë/ Ditmir Bushati: Shqipërisë nuk i takon t’i shkelë syrin Beogradit

Sipas tij, Serbinë politika shqiptare duhet ta shohë përmes syve të Kosovës, ndërsa shtoi se mbase as pas 50 apo 100 vitesh ne nuk do të jemi dot miq me të. 

E.K
Sulmi në Kosovë/ Ditmir Bushati: Shqipërisë nuk i takon
Ditmir Bushati

TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati duke komentuar situatën në veri të Kosovës dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, nuk i ka kurser kritikat ndaj qeverisë, për të cilën tha se po tregohet e “butë” në qëndrimet e saj.

Sipas tij, Serbinë politika shqiptare duhet ta shohë përmes syve të Kosovës, ndërsa shtoi se mbase as pas 50 apo 100 vitesh ne nuk do të jemi dot miq me të. 

Ditmir Bushati: Politika jonë e jashtme është orientuar mes Italisë dhe Greqisë për të dëshmuar përkatësinë tonë europiane dhe mesdhetare. Serbinë duhet ta shohim përmes syve të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se me Serbinë nuk duhet të kultivojmë një marrëdhënie normale, por mbase as pas 50 apo 100 vitesh ne nuk do të jemi dot miq me Serbinë. Çdo lloj rruge normaliteti dhe miqësie duhet të kalojë përmes Kosovës.

Sipas tij Perëndimi e ka përkëdhelur Serbinë dy vitet e fundit dhe këtë nuk duhet ta bëjë dhe Shqipëria.

Ditmir Bushati: Perëndimi e ka përkëdhelur Serbinë veçanërisht 2 vitet e fundit, pas agresionit rus në Ukrainë. I ka shkelur syrin qoftë për qasjen autokratike, qoftë për qasjen ndaj fqinjëve. Shqipërisë nuk i takon ky pozicion, sepse ne, përpara se të jemi euroatlantikë, kemi interesat tona kombëtare si shqiptarë. Shihni Kroacinë si reagon për çdo gjë që bën Serbia në Kosovë. Janë kroatët më pak apo më shumë euroatlantikë se ne? Jo! Kanë një interes kombëtar më shumë se ne në Kosovë? Kurrësesi!

Që pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, përplasjet diplomatike mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë munguar. Kryeministri Edi Rama ka dalë me tre propozime për Kosovën dhe Serbinë, një prej të cilave dhe vendosja e KFOR-it në veri të, në mënyrë që të ketë kontroll të plotë mbi territorin. Kjo do të spostonte rolin e Policisë së Kosovës. 

Kjo është kundërshtuar fort. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se është Policia ajo që kontrollon territorin, ndërsa KFOR-i është vetëm si palë e tretë. I të njëjtit mendim kanë qenë dhe kryeministri Albin Kurti, zyrtarë të tjerë, deputetë dhe ministra.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe. Pritet që të dorëzohet dhe të merret nën hetim, ndërkohë vila e tij në Kosovë është kontrolluar për prova./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB