
TIRANË- Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi ka bërë një kërkesë për kryebashkiakun Erion Veliaj. Në një shkresë drejtuar institucionit, Blushi ka një kërkesë të veçantë, duke iu bazuar 'hekurit' të famshëm që ngjit kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në zonën e Liqenit Artificial. Blushi pretendon se tanimë objekti është kthyer në një atraksion turistik dhe kërkon që të restaurohet me pretendimin se ka disa dëmtime dhe duhet ndërhyrë.
"Objekti kuadrat hekuri që ndodhet tek Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë është një objekt që po paraqet kohët e fundit një atraksion të madh për qytetarët e Tiranës, veçanërisht për të rinjtë. Duke iu falenderuar paraprakisht për vëmendjen që kushtuar për lyerjen e këtij objekti, iu vëmë në dijeni siç lehtësisht mund ta keni konstatuar edhe nga ana juaj se infrastruktura poshtë dhe përreth këtij objekti nuk është pasijur me asnjë masë minimale sigurie, që mund të evitojë traumat dhe dëmtimet fizike të mundshme të qytetarëve dhe të rinjve. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana juaj të merrni të gjitha masa e nevojshme, me elementët e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e shëndetit dhe të jetës për të gjithë qytetarët që vizitojnë këtë objekt atratksioni,"-shkruhet në shkresën e Blushit./ZËRI