TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, është përplasur me kryedemokratin Sali Berisha për skandalin e SHISH. Në replikë me Berishën, Balla i quajti hetimet ndaj kreut të SHISH si një sukses të drejtësisë, duke i kujtuar se ka marrë fund koha kur gjyqet bëheshin në Kuvend dhe asnjë nuk hetohej dhe dënohej nga drejtësia.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Berishës lidhur me videot intime të kompozitorit Andi Hila, për të cilat kryedemokrati tha se nuk janë asgjë krahasuar me ato që PS-ja ka me Ergys Agasin, Balla i tha se kompozitori ka tjetër emër. Balla e korrigjoi Berishën pasi ky i fundit ngatërroi emrin e personazhit kryesor të përfshirë në videot e përmendura gjatë debatit në Kuvend.
"Njëherë, dua të them se Andi Lila është futbollist dhe jo kompozitor, se ia ngatërroi emrin zotëria këtu. Lila është një person i nderuar. Si më i vjetri në këtë sallë, duhet të mos e përdorje atë mënxyrë, ku vajza e gra ndihen të fyera dhe besoj se gratë në parlament duhet të solidarizohen me gratë e përfshira. Kushdo që është mbrapa atyre videove, duhet të kërkohet dhe të shkojë përpara drejtësisë.
Ne e konsiderojmë SPAK-un si suksesin e drejtësisë së re, kurse zotëria e quan seksionin e PS-së. Zotëria thotë se kur më heton mua, SPAK është kështu e ashtu. Ka dhe hipokrizi, se vjen këtu dhe thotë “bazuar në informacionet e dosjeve”. Unë kam thënë se do jenë para drejtësisë ish-kryeministra, ish-ministra, ish-funksionarë publikë etj.
Qëndrimi ynë është që drejtësia e re ka punën e vet dhe politika të vetën. Kush që ka çështje, të shkojë tek SPAK. Ne besojmë tek organet e pavarura të drejtësisë. Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet, që një zyrtar është i pafajshëm, derisa të provohet fajësia. Qëndrimi ynë është që secili të marrë avokatin, bëni dhe ju si ne, mos e bëni partinë avokate.", tha Balla. /ZËRI