Politikë

Hetimori i Shëndetësisë, sot 'skadon' afati i punimeve/ Ilir Beqaj nuk dëshmoi, opozita kërkon shtyrje

Edhe pse doli 2 herë nga burgu, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nuk ka dëshmuar edhe pse ka pritur me orë të tëra, herë në sallë, herë jashtë saj.

k.m.
Hetimori i Shëndetësisë, sot 'skadon' afati i punimeve/
Ilir Beqaj

TIRANË- Sot, Komisioni Hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe "Check-up" në Shëndetësi duhet të mbyllë punimet! Pas 2 javësh shtyrje, në Komisionin Hetimor nuk ka asgjë të re. Edhe pse doli 2 herë nga burgu, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nuk ka dëshmuar edhe pse ka pritur me orë të tëra, herë në sallë, herë jashtë saj. Mbledhjet janë zhvilluar me ndërprerje të shumta, debate, akuza dhe tensione, madje dhe kërcënime (pretendon opozita). Opozita kërkon shtyrjen e punimeve për të marrë në pyetje të gjithë listën e dëshmitarëve të kërkuar, por më shumë ngulin këmbë tek kryeministi Edi Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi. Gjithashtu, nuk janë dakord që dëshminë e tij ish-ministri Beqaj të dëshmojë dhe të paraqesë provat e tij me një "PoëerPoint".

Si për shtyrjen e afatit, por edhe për listën e dëshmitarëve, maxhoranca është kundër. Ndërsa për marrjen në pyetje të ish-ministrit Ilir Beqajt janë dakord që deklaratën e tij ta bëjë me të gjitha mjetet që i kërkon dëshmitari.

Ndërkohë që sot është afati i fundit, nuk dihet nëse do të ketë mbledhje dhe as nëse Beqaj do të kërkohet sërish që të marrë leje për të tretën ditë radhazi që të paraqitet për të dëshmuar në Komision.

Komisioni Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. Aktualisht, Beqaj është në burg pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së, por po hetohet edhe për koncensionet në Shëndetësi. Megjithatë, ndërsa hetimet vazhdojnë, deri më tani për të nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare nga ana e SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB