
DURRËS- Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në portin e Durrësit me përfaqësuesit e bizneseve të transportit. Kryeministri foli për procesin e eksporteve shqiptare dhe fluksin e ngarkesave, duke lajmëruar se do të ulet numri i kontrolleve për daljet nga porti. Por, Rama bëri te ditur se do të ketë herë pas here edhe kontrolle të papritura. Më tej, kryeministri shtoi se pritet që marrëveshja të firmosët, pasi është duke u diskutuar.
“Shteti skanon kamionët për çështje sigurie, të luftës së kontrabandës. Është detyrë e shtetit. Duke pasur parasysh tanimë një kurrikulum të kompanive tuaja, natyrën e aktiviteteve tuaja, kontributet tuaja si taksapagues, ne do të fillojmë të operojmë jo më në bazë të kontrollit 100%, por në bazë rrisku. Nga 100 dalje nga porti, vetëm në 10 raste do të bëhet skanimi. Është shifër e arsyeshme si fillim dhe më pas mund të kalojmë në një skemë jo transparente, por në numër më të vogël kontrollesh, por ama të befasishme. Përtej kostos marramendëse që ka ky koncesion, e ka të mirën dhe duhet ta themi, që e ka ulur në mënyrë të ndjeshme kontrabandën. Sot fola me drejtorin e Doganës, i thashë është një gjë për t’u bërë dhe mesa di do firmoset që e bën fakt këtë gjë. Nga sot, ju të keni këtë lloj regjimi”, u shpreh kryeministri.
Po ashtu, Rama la të hapur mundësinë e hapjes së një shkolle profesionale për shoferët. Kryeministri shtoi se punësimi i shoferëve është kthyer në një problem, ku shtoi se duhet të ketë një propozim konkret për hapjen e shkollës.
“Pastaj pjesa e shoferëve, është problem përtej Shqipërisë. Pagat ju i keni rritur në 1500 deri në 2000 Euro, mbase duhen rritur akoma. Sa i përket shkollës, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim, me Ministrinë e Infrastrukturës, me Autoritetin Portual apo me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, si shkollë profesionale. Një lloj shkolle ku merren kurse të caktuara që ju vlejnë shoferëve tuaja për procese që janë speciale, jo thjesht merr kamionin dhe shko diku tjetër. Thjesht bëni një propozim konkret. Sa njerëz duhen, çfarë mendoni ju se kërkohet dhe pastaj e shohim… Nëse ka elementë ende të natyrës burokratike që ju mendoni se mund të hiqen, e kemi detyrë t’u ruajmë ju. Edhe nga ana e shëndetit të kompanisë, edhe mos cenoni shëndetin e shtetit”, përfundoi Rama./ZËRI