
TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ku mbetën të vrarë 3 persona. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla thotë se drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit janë në Memaliaj ku presim zbardhjen sa më parë të jetë e mundur. Sipas ministrit Balla, ngjarjet e vjetra kriminale janë rrezik potencial për ngjarje të reja.
Postimi i Ballës:
Është detyrë kryesore e Policisë së Shtetit parandalimi i ngjarjeve kriminale, duke vlerësuar rrezikun dhe u angazhuar në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra kriminale. Janë këto ngjarje të vjetra kriminale rrezik potencial për ngjarje të reja. Ndërsa drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit janë në Memaliaj ku presim zbardhjen sa më parë të jetë e mundur, Drejtoria Vendore Policisë Lezhë sapo ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Falë reagimit në kohë janë sekuestruar armët e zjarri dhe mina me telekomandë, të cilat do të përdoreshin dhe është ndaluar në flagrancë autori i dyshuar.
Nga të dhënat e deritanishme, objektiv i atentatit të trefishtë që ka ndodhur në zonën e Memaliajt ka qenë Shyqyri Kalemi (babai i Andrea Kalemit), ndërsa mbetën të vrarë dhe Marsel Çela, 47 vjeç, si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje si pjesë e sagës së ngjarjeve të ndodhura që prej 11 Qershorit të vitit 2022 kur mbeti i vrarë në Tiranë me shpërthim të telekomanduar Aleksandër Sadikaj. Pas ngjarjes policia ka gjetur të djegur makinën e autorëve në zonën e Mallakastrës, ku brenda saj janë gjetur dhe 3 armë që dyshohet se u përdorën në krim. /ZËRI