
TIRANË – Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i ftuar në emisionin “Top Story”, ka dhënë disa detaje mbi hetimet për sulmin me armë ndaj Top Channel, ku mbeti i vrarë roja Pal Kola.
Balla tha se kjo ngjarje është pengu i tij i përditshëm, ndërsa deklaroi se ka pistë të re për ngjarjen e rëndë, bazuar në informacione të besueshme. Ministri tha se sulmi është një nga aktet më të rënda në demokraci, sepse u qëllua me armë një media.
“Sulmi ndaj Top Channel është një prej akteve më të rënda që ka ndodhur në Shqipëri sepse nuk është goditur vetëm fasada, apo ka mbetur i vrarë një qytetar që punonte për të ardhura. Top Channel është një institucion më vete, në kuptimin e një kontributi që ka sjellë në mediat shqiptare, është goditur një media, është një nga ato pengjet e mija të përditshme, ku një herë në javë Drejtori i Përgjithshëm raporton tek unë “top files”, për të cilat kemi një mbledhje çdo javë ku themi ku jemi”, tha Balla.
Taulant Balla nuk ndau detaje për hetimet, duke shprehur angazhimin e tij maksimal për zbardhjen e çështjes. “Për të ruajtur sekretin hetimor nuk do hyjmë në një detaje por kemi një pistë të bazuar të informacione, por edhe për shkak të administrimit të një sërë elementësh, për të ndërtuar se si ka funksionuar. E rëndësishme është të thuash dhe t’i shkosh deri në fund, kush është qëllimi. Në rast se nuk zbulohet në momentet e para është shumë e vështirë, janë provat që sigurohen më momentet e para. Angazhimin tim maksimal, e rëndësishme është ti shkojmë deri në fund”, deklaroi Balla.
Një sulm i rëndë me armë zjarri ndodhi mbi godinën e Top Channel më 27 mars 2023. Si pasojë e sulmit u vra me armë roja Pal Kola./ZËRI/