Politikë

Rama s'tërhiqet: KFOR-i të kontrollojë Veriun! 'Thumba' Kurtit

Përmes një reagimi kreu i qeverisë shkruan se KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës

E.K
Rama s'tërhiqet: KFOR-i të kontrollojë Veriun!
Edi Rama dhe Albin Kurti

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur këtë të premte thirrjen e tij për ndërkombëtarët që KFOR-i të marrë nën kontroll një orë e më parë veriun e Kosovës pas sulmit terrorist ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Përmes një reagimi në rrjetet e tij sociale, kreu i qeverisë shkruan se KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës.

Sipas Ramës, KFOR-i në veri është një garanci e madhe për parandalimin e çdo sulmi të mundshëm. Një mesazh Rama e kishte dhe për ata që e kanë krituar një ditë më parë kur hodhi idenë se KFOR duhet të marrë nën kontroll Veriun, duke iu referuar homologut Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë të Lëvizjes VetëVendosje. 

Edi RamaNë kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale. Nga ana tjetër u kemi ripërcjellë aleatëve arsyet e moslinjëzimit tonë me deklaratën e fundit të BE-së, duke vazhduar të kërkojmë qëndrimin e tyre publik, lidhur me grupin e armatosur kriminal që vrau efektivin e policisë së Kosovës dhe lidhur me zinë kombëtare në Beograd për pjesëtarët e asgjësuar të atij grupi.  Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”, u kujtoj sot se:

1. KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!

2. Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll  veriun një orë e më parë.

3. E di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, prandaj është sa e dhimbshme, aq edhe qesharake, që edhe në këtë situatë kaq serioze për sigurinë në veriun e Kosovës, politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë merren me të tilla manipulime të ulëta emocionesh të qytetarëve të tyre, duke deformuar qëllimisht qëndrimet e mia. Keqardhje për ta, se për trimat e biznesit politik e mediatik të Tiranës, që janë gati t’ia venë zjarrin vetë Kosovës, bashkë me Shqipërinë për përmbysjen imagjinare të “regjimit” tim, nuk kam asnjë sekondë për të humbur! 

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama gjatë një konference për mediat kreu i qeverisë, Edi Rama hodhi idenë se KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun ndërsa paraqiti dhe një plan me tre pika. Por kjo u kundërshtua nga qeveria e Kosovës. 

Edi RamaDialogu mes dy vendeve duhej të ngrihej në një konferencë ndërrajonale. Sot mimialisht formati i Brukselit, ku venë e vinë dy burra nga këtej, hynë e dalin dy burra atje, s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Bashkë me stokun e të gjitha marrëveshjeve, të pazbatuara, mund të sjellë largqoftë një stok viktimash të një konflikti të armatosur. KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Është propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO-s.

Por përgjigjen e mori nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se kudo në Kosovë e para që përgjigjet është policia vendase, pastaj EULEX dhe KFOR.

Albin KurtiNe kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe. Pritet që të dorëzohet dhe të merret nën hetim, ndërkohë vila e tij në Kosovë është kontrolluar për prova./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB