
HIMARË- Kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria disa ditë më parë ka kallëzuar në SPAK, rivalin e tij në garën për kryebashkiak, kandidatin e Partisë Socialiste Vangjel Tavo. Gjikuria pretendon se Tavo dhe familjarët e tij kanë transferuar gjendjen civile nga Dropulli në Himarë.
Ndërkohë Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë në jug të vendit, në Himarë, Vangjel Tavo, ka folur në një intervistë për zgjedhjet në Himarë dhe akuzat e ngritura ndaj tij se ka transferuar familjen nga Dropulli në Himarë. Ai vetë i futar në Euronews, e pranoi transferimin e familjarëve votues në Himarë, por sipas tij jo për të votuar, por me pretendimin për të ruajtur votën. Ai tregoi se në Himarë ka sjellë vetëm 12 veta familjarët e tij për të ruajtur votën, dhe asnjë tjetër.
Pas deklaratave të tij një reagim erdhi edhe nga Komuniteti i Minoritetit grek në Himarë, OMONIA, të cilën e cilësuan si ulëritëse. Në reagim thuhet se Tavo nuk ka vota në Himarë dhe nuk duhet të përfshijë familjen në një proces demokratik si hedhja e votës.
POSTIMI I PLOTË:
Çudi ulëritëse është deklarimi i Vangjel Tavos se ka sjellë votues nga Jorgucati për të mbrojtur votën?! Uau! E pabesueshme me ç'nivel demokratik përfaqësohen socialistët në Himarë! Po pse more zotëri, zgjedhjet po bëhen në oborrin e shtëpisë tënde, apo në pronat e gjyshit që ke mobimilizuar familjen me çifte dore?! Ç'hyn familja në mbrotjen e votës morë faqezi?!
A di ti që vota është akt demokracie dhe organizohet e mbrohet nga ligji i shtetit dhe jo nga ligjet e fisit tënd?! Ç'farë cilësie ligjore të posaçme gëzon familja jote që mbroka votën?! Si ka mundësi që e trajton familjen si policë privatë votash?! Dhe më e rëndësishmja, nga kush e ruan votën ti zoti Tavo?! Nga ato që ke joshur me tapi elektorale, apo nga ato që i mashtron me vende pune e me check të bardhë?! Zoti Tavo, lutem të të ruajë zoti më mirë, se politikisht demokratikisht e mendërisht ke humbur busullën. E kur humb busullën, këtej nga deti nuk është lajm i mirë.
Mbaroni këto pushime në bregun e Himarës dhe vijoni të qetë familjarisht jetën tuaj me vëllezërit tanë në Jorgucat e Dropull se Himara Europiane ka rregulla të tjera bashkëjetese dhe burrnie. Ti nuk ke vota këtu, ndaj nuk ke çtë mbrosh. Lëre familjen të qetë. Leri familjarët e tu të punojnë se ata nuk janë si ti parazit elektoral që bredh sa tek njëra parti e sa te tjetra. Ata janë punëtorë dhe kanë ndërtuar gjithçka me punën e tyre. Ti vetëm kosto u ke çuar gjithë jetën. Ne kemi respekt për punëtorët e familjes tënde, por jo për një parazit politik si ty. Turp të kesh për ato fjalë që thua për Himarën demokratike. Dhe per mbyllje nje pyetje kam per SPAK a i degjon deklaratat skandaloze te kandidatit Tavo???
Zgjedhjet e Himarës do të mbahen më 4 gusht, pas dekretimit të presidentit Bajram Begaj. Kjo, pasi mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, u shpall i pavlefshëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi ai është dënuar së fundmi me vendim të formës së prerë për korrupsion aktiv në zgjedhje./ZËRI