Politikë

Deklaratat e Ahmetajt/ 'Tre PD-të' në sinkron: SPAK të veprojë!

Sipas Berishës, me akt akuzën që SPAK përpiloi ndaj Ahmetaj, ky i fundit dilte i pafajshëm ndërsa qëllimi ishte që të shpëtonte Rama dhe Veliaj.

E.K
Deklaratat e Ahmetajt/ 'Tre PD-të' në sinkron: SPAK të
Sali Berisha, Gazment Bardhi, Lulzim Basha dhe Arben Ahmetaj

TIRANË- “Tre Partitë Demokratike”, kanë reaguar këtë të premte në lidhje me deklaratat e bëra një natë më parë nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë në “Çim Peka Live”. Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, teksa fliste nga dritarja e banesës u shpreh se mbrëmë Ahmetaj dëshmoi se Edi Rama dhe Erion Veliaj fshihen pas inceneratorit të Tiranës. Akuza drejtoi dhe ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Orgaizuar (SPAK). Sipas Berishës, me akt akuzën që SPAK përpiloi ndaj Ahmetaj, ky i fundit dilte i pafajshëm ndërsa qëllimi ishte që të shpëtonte Rama dhe Veliaj. Gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, Berisha iu drejtua Kryeministrit Edi Rama se nëse i preket një qime floku Ahmetajt atëherë ai do e pësojë me familjen e tij. Ndërkohë hoqi një paralele dhe me Ervis Martinajn. Sipas tij, atë që Rama bëri me Martinajn nuk do e bëjë me Ahmetaj.

Sali Berisha: Askush nuk e ka sulmuar me fakte më shumë se Sali Berisha Arben Ahmetaj. Më kujtohet kur kërkuan arrestimin e tij dhe lexova dosjen, konstatova dhe u deklarova publikisht se me këtë akt akuzë e kanë ndihmuar Arben Ahmetaj, se me këtë akt akuzë Arben Ahmetaj del krejtësisht i pafajshëm. Me akt akuzën që Altin Dumani kishte formuluar ndaj Ahmetaj, implikonte veten këmbë e kokë si një njeri i keqpërdorur nga Edi Rama mbasi kërkonte të mbulonte të gjithë krimin mustruoz të Edi Ramës me firmat që nuk ishin të vendosura nga Arben Ahmetaj. Kërkonte ti atribonte atij fuqitë e Kryeministrit. Kërkonte ti atribonte atij projektet e Kryeministrit dhe kjo ishte pra një “kokë turku”, ashtu siç u shprehen avoketërit e tij dhe siç e kuptuan shumica e njerëzve. Në intervistën e tij mbrëmë Ahmetaj foli shumë, pati sot tek tuk pati gazetarë që shkruan se nuk paraqiti fakte, të dashur gazetarë, ju lutem dokumentat, faktet zyrtare i ka paraqitur gjatë një periudhe nga korriku gjër më sot çdo dokument, me qindra dokumente Partia Demokratike. Nuk ka asgjë, të pabazuara në akuzat e saj prandaj dhe të kërkoni dokumente të tjera kur keni firmën e Edi Ramën, me përmbysje me zëvendësministra, të strategjisë së landfillit. Një qime floku po i preke Arben Ahmetaj do ta pësosh me familjen tënde. Ia bëj këtë se Arben Ahmetaj të denoncoi. E bvëri me Ervis Martinajn po se bën dot kurrë me Arben Ahmetaj. Mos përdor kriminel, vrasës mor frikacak sepse nuk do të mund të ndalosh veprimet e tjera pastaj.

Ndërsa Lulzim Basha, i cili mban vulën dhe logon e Partisë Demokratike zyrtare u shpreh se intervista e Ahmetaj një natë më parë ishte një përpilitje, që tregon se sa keq u është ‘mbledhur litari atyre që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve”. Sipas tij, PD do të qëndrojë fort në hetimin e të korruptuarve pavarësisht emrave të përveçëm dhe ngjyrës së tyre politike dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Lulzim Basha: Përpëlitjet e mbrëmshme dhe ato që do të pasojnë ditët dhe javët e ardhshme tregojnë se sa keq u është mbledhur litari atyre që kanë abuzuar me pronat dhe pasuritë e shqiptarëve. Duan ta presin litarin, diku duan të përdorin duart e hallexhinjve, diku duan të përdorin skema të dala jashtë boje që kur i provuan në vendet e tjera që ka pasur reformë në drejtësi, le ta dinë që Partia Demokratike do të qëndrojë fort në hetimin e të korruptuarve pavarësisht emrave të përveçëm dhe ngjyrës së tyre politike dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Ndërkohë Gazment Bardhi, në cilësinë e kryetarit të grupit të PD u shpreh se gjatë intervistës Ahmetaj dëshmoi se Edi Rama dhe Erion Veliaj janë kokat e aferës së inceneratorit të Tiranës dhe dy zyrtarët më të korruptuar të shtetit shqiptar. Ndërkohë i bën thirrje SPAK të veprojë sa më shpejt.

Gazment Bardhi: Që Edi Rama dhe Erion Veliaj janë kokat e aferës së inceneratorit të Tiranës dhe dy zyrtarët më të korruptuar të shtetit shqiptar, askush prej nesh nuk ka pritur ta mësojë nga Arben Ahmetaj, ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës për 20 vjet!  Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të ishin me kohë para drejtësisë për të dhënë llogari për vjedhjen e shqiptarëve.  Por akoma nuk është vonë që kjo të ndodhë! Pas dëshmisë së vonuar të Arben Ahmetaj, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të japin dorëheqjen dhe t’i hapin rrugë drejtësisë për një hetim të pandikuar dhe të paanashëm! Faktet dhe të dhënat e përfshirjes së tyre në aferën korruptive të inceneratorëve dhe të disa aferave, për të cilat Arben Ahmetaj përdori kodin e mafias për të dhënë mesazhe, duhet të dalin në dritën e diellit nga drejtësia përmes një hetimi të plotë e të shpejtë! SPAK-u ka patur dhe ka aq prova në dispozicion sa duhet të kishte arritur tashmë një konkluzion për vënien para përgjegjësisë penale të Edi Ramës dhe Erion Veliajt!  Heshtja dhe çdo vonesë tjetër, qoftë edhe përmes mungesës së nisjes së hetimeve kryesisht, ngre dyshime serioze për besueshmërinë e SPAK-ut dhe minon pritshmëritë e larta të qytetarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të pushtetit.  Nga ana tjetër, fakti që Arben Ahmetaj ka filluar të rrëfejë nga halli disa të vërteta, nuk e bën atë më pak fajtor nga dy të parët. Ai duhet të përballet me drejtësinë për përfshirjen dhe përfitimet e tij nga afera e inceneratorëve, si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga Edi Rama, ku ai, për 2 incineratorët e parë dhe Erion Veliaj, për incineratorin e Tiranës, kanë patur rol kyç.  Për të gjitha akuzat e tjera, që gjithashtu janë të dokumentuara, SPAK duhet t’i ofrojë mundësinë Arben Ahmetajt për të qenë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe për të zbardhur së bashku aferat e Qeverisë së Edi Ramës, ku Ahmetaj ka shërbyer për gati 10 vjet, si një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më konfidentë të Edi Ramës!  Nëse SPAK-u nuk ia ofron këtë mundësi, Arben Ahmetaj, që deri dje, na bënte leksione për pavarësinë e drejtësisë së re, duhet të deklarohet publikisht si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të tregojë sesi me Edi Ramën në krye, tradhëtuan shqiptarët përmes aferave të rënda korruptive dhe lidhjeve me krimin e organizuar!

Një natë më parë në një intervistë në “Çim Peka Live”, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Për këtë të fundit deklaroi se është pronari “defacto”, i inceneratorit të Tiranës. Ndërsa për Ramën, u shpreh se e ka nxjerrë në “pritë” tek SPAK për ta përdorur si “kokë turku”. Ndër të tjera Ahmetaj tha se është kërcënuar tre herë me jetë./ZËRI

Poll

MOS HUMB