Politikë

‘Jemi të dashuruar me BE, nuk pranojmë ‘jo’ si përgjigje’, Rama: I vetmi vend që nuk kemi vizita me Moskën që nga ’90-ta

Rama tha se ndihej i vlerësuar që qëndronte në një panel me dy krerë shtetesh të vendeve nordike, dhe nuk e kishin lënë në një tryezë me homologët e tij nga Ballkani

E.K
‘Jemi të dashuruar me BE, nuk pranojmë ‘jo’ si
edi rama

PRAGË- Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në një panel diskutimi për sigurinë, që u po mbahet në Pragë, së bashku me Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen dhe Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, moderuar nga gazetari Ali Aslan. Në fokus të diskutimeve të këtij paneli ishte “E ardhmja e Evropës. Çfarë na pret?”, ku kryeministri nuk e fshehu pakënaqësinë e tij në lidhje me burokracitë e BE-së që sipas tij kanë zvarritur procedurat e anëtarësimit për vendet e Ballkanit perëndimor. Rama u pyet për solidaritetin e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe Traktatin e Miqësisë së nënshkruar mes dy vendeve, ku tha se është e natyrshme që në këtë moment vendi ynë të renditet në anën e kundërt me Rusinë.

Rama fillimisht vlerësoi pjesëmarrjen në një panel me përfaqësues të vendeve nordike. “Çfarë menduat kur me vutë në krah të këtyre dy personave sepse zakonisht më vini në atë lokomotivën me avull me njerëz nga Ballkani në panele me 5, 6 njerëz. Ndërkohë tani jam në një makinë elektrike me 2 nordikë. Ndihem shumë i nderuar meqë ra fjala, nuk ka aspak dyshim për këtë. Në një farë mënyre jam ngritur në një nivel tjetër shoqërie në Evropë. Megjithatë e kuptoj që u ndjetë shumë vetëm në akull dhe do donit pak diell nga Shqipëria për ta rritur pak temperaturën këtu”, tha Rama.

“Këtu jemi në Pragë dhe më duhet të them që për ne që u rritëm në një vend ku Uashingtoni, Praga ishin njësoj. Nuk mund të vinim. Na thuhej që të dyja anët të dyja palët, imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik ishin i njëjti djall. Kështu që duhet të mbeteshim me Stalinin edhe pasi Rusia hoqi dorë nga Stalini. E mësuam në kurriz që nuk ka asnjë interes, nuk ka as nevojë ta shohësh Rusinë si aleat a partner të mundshëm tonin, për aq kohë sa në Rusi ëndrra për një variant të caktuar të imperializmit qoftë në mënyrën e vjetër apo të re nuk do të zhduket”, tha Rama.

Kështu që, theksoi Rama, “jemi i vetmi vend në Evropë që prej vitit 1990 nuk ka pasur asnjë vizitë, as nga autoritetet e larta tonat në Moskë, apo nga autoritetet e larta të Moskës tek ne”.

“Solidariteti ynë me Ukrainën është gjëja më e natyrshme sepse ashtu siç tha Mette është e paimagjinueshme që në botën tonë, në Evropën tonë, në shekullin e 21-të, çfarëdo mosmarrëveshje, çfarëdo mënyre e ndryshme e të kuptuarit të fqinjësisë nuk mund të zgjidhet duke dërguar një ushtri. Kjo është tërësisht e papërfytyrueshme”, theksoi Rama.

“Në një mënyrë sidoqoftë dua që të përmend historinë mjaft treguese të himnit rus. Nuk e di nëse e dini këtë histori. Por kur Stalini i kërkoi autorit që e shkroi të shkruante diçka mjaft motivuese se bashkimi Sovjetik duhet të luftonte, autori e bëri. Ndërkohë që kur Krushovi mori pushtetin i kërkoi të njëjtit autor të ndryshonte tekstin. Dhe kur Jelcini erdhi në pushtet i thotë që shiko nuk jemi më Bashkimi Sovjetik jemi Rusia kështu që duhet të ndryshosh tekstin. Është histori e vërtetë. Edhe kur Putini mori pushtetin i kërkoi autorit të ndryshojë tekstin, por muzika kurrë nuk ndryshoi në Rusi”, tha Rama.

Kryeministri Rama gjithashtu ironizoi me faktin se çfarë quhet sot një eurooptimist dhe një europesimist.

“Një eurooptimist thotë që Turqia do të anëtarësohet në Evropë nën presidencën shqiptare, ndërkohë që europesimisti thotë që Shqipëria do të bëhet anëtare nën presidencën turke”, tha Rama, ndërkohë që vijoi më tej me batutat, ku u shpreh se “jemi në mënyrë kokëfortë të dashuruar me Evropën dhe nuk pranojmë ‘jo’ për përgjigje”.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk është zgjerim i BE, sepse ndodhet në BE, ndërsa theksoi se zgjerim mund të quhet Ukraina.

“Ne jemi një vend evropian dhe kjo nuk vendoset në Bruksel. Evropës i duhej Vladimiri të sulmonte Ukrainën që të mos ta merrte të mirëqenë që Ballkani Perëndimor është aty. Mjafton të thuash që një ditë horizonti blu do jetë i juaj, por për momentin na duhet të bëjmë ca gjera të tjera dhe duhet të besoni që kjo është e bazuar në meritë. Po a është vërtetë e bazuar në meritë? Nuk jam i sigurt. Zgjerimi nënkupton të zgjerohesh. Ukraina po është zgjerim. Por Ballkani Perëndimor është këtu, nuk është zgjerim.

Kur vjen fjala për Shqipërinë në jemi evropian, jemi në mënyrë kokëfortë të dashuruara me Evropën dhe nuk pranojmë jo për përgjigje. Ne do jemi me BE deri në fund, ashtu sic ishim me Stalinin, edhe kur ruset lanë duart me Stalinin. Ne do jemi me BE edhe kur BE të zhduket dhe do ftojmë të gjithë ta rinisin nga Shqipëria dhe të ndërtojnë një BE tjetër”, tha Rama./ZËRI 

Poll

MOS HUMB