
ELBASAN- Me urdhër të ministrit të brendshëm Taulant Balla, IKMT ka nisur një aksion në të gjithë vendin, për të hequr nga akset kryesore kombëtare, bizneset që shërbejnë si varreza makinash. Aksioni ka nisur nga Elbasani dhe pritet që të shtrihet në të gjithë territorin.
Balla, së bashku me drejtuesit vendor të IKMT-së dhe Policisë së Elbasanit u ndalën në një biznes që ushtron këtë aktivitet në anë të rrugës Elbasan-Librazhd.
“Ligji nuk lejon vendgrumbullimin e mjeteve të përdorura, pjesë këmbimi apo mjete jashtë përdorimit, kështu që në këtë aspekt duhet marrë masa”, deklaroi Balla, duke thënë se një imazh i tillë nuk i shërben Shqipërisë turisitike.
Pronari i biznesit, Resmiu, tha se ishte informuar nga IKMT dhe po vazhdojnë punën për zhvendosjen e mjeteve. “Jemi në monitorim të gjithë akseve rrugore të rëndësishme, në kuadër të masave për sezonin turistik që po afron, po largojmë mjetet e përdorura e të demoluara për skrap. Po ecim me ritme të kënaqshme, pasi dhe vetë bizneset e kanë bashkëpunimin dhe jemi mirëkuptuar me ta. Mjetet do largohen në kohë nga akset kombëtare”, u shpreh drejtori rajonal i IKMT-së, Elbasan.
Faza e parë e gjithë procesit është evidentimi e njoftimi i pronarëve të pikave dhe spostimi i mjeteve nga vetë subjektet. Urdhër-inspektimet po vijojnë në gjithë aksin Elbasan – Qafë Thanë, me lokalizimin e njoftimin e çdo subjekti, për të pastruar çdo mbetje të dukshme që qëndrojnë në aksin kryesor e dytësor duke dëmtuar imazhin e tyre./ZËRI