TIRANË- Deputeti gjerman, Gunther Krichbaum i CDU/CDU ka bërë sërish deklarata të fortë për çështjen Berisha, kur tha se akuza që SPAK i ka ngritur atij përbën një vepër të rëndë penale nëse provohet. I pyetur nga gazetarët se pse ka takuar vetëm përfaqësues të PD-së së Lulzim Bashës, Krichbaum tha se ka pasur kontakte dhe me deputetë që janë më afër Berishës.
“Unë jam këtu sepse Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushte për negociatat e anëtarësimit. Sa i përket 15 kushteve, unë kam të bëj me strukturat qeveritare, ndaj fokusi i vizitës sime ishte i ndryshëm nga pyetjet tuaja të fundit”, tha deputeti gjerman, ndërkohë që për atë që po ndodh me opozitën u shpreh:
“Më duhet të them se nuk jam takuar vetëm me Lulzim Bashën, por jam takuar dhe me pjesëtarë të tjerë të Këshillit të Integrimit, si me Jorida Tabakun. Jemi në kontakt me njëri-tjetrin, edhe me përfaqësues të krahut të Berishës kam pasur takime dhe takohem. Më vjen keq që PD është e ndarë në këtë moment. Është me rëndësi dhe aspekti tjetër, botëkuptimi i qeverisë.
Sa i përket zotit Berisha, tani është nën akuzë të fuqishme nga ana e SPAK. Fillimisht për secilin të akuzuar, ekziston prezumimi i pafajësisë, deri sa pafajësia të dëshmohet në gjykatë. Akuzat janë të forta. Këtu bëhet fjalë për procese që përfshijnë prona të caktuara. Amerika e ka shpallur non-grata. Unë do të takohem me njerëz të cilët nuk janë nën akuzë. Nuk bëhet fjalë për krime kavalieriteti, por për akuza penale. Jam jurist për nga formimi, por parimet e shtetit ligjor janë pjesë e formimit të një partie.
S’kam mundur ta shoh procesin ndaj Berishës. Ai kam përshtypjen se thotë; jam kryetar i partisë. Se kujt i takon partia, do të duhej të bëhej përmes procedurave të rregullta. Partia do të duhet të jetojë procese të rregullta, ndaj PD do të duhej të sqaronte rrethanat. Unë thjesht këshilloj. Njerëzit në një vend demokratik presin që një parti të zgjidhë problemet e veta, por edhe të njerëzve.
Në fund të ditës, qytetarët thonë; nëse një parti nuk zgjidh problemet e veta, nuk mund të zgjidhë dhe problemet tona. Uroj për PD çdo të mirë. Do të ketë mbështetjen e europianëve, ne do të ndërmjetësojmë në këtë pikë. Por mendoj se një nga sfidat më të mëdha, do të duhej të kishte parti të forta. Kjo është sfidë e madhe. Kjo është një procedurë e pavarur e gjyqësorit, ndaj nuk duhet të përfshihet politika”, tha deputeti.