
TIRANË- Vijon kaosi në Kuvend, me deputetët e Partisë Demokratike që kanë tentuar të bllokojnë mbledhjen e dy komisioneve që do të mbaheshin fizikisht në sallat e Kryesisë. Një incident është shënuar mes deputetes socialiste Blerina Gjylameti dhe kolegëve të saj demokratë, të cilët kishin zënë derën e një prej komisionene.
Gjylameti ka shtyrë derën duke u futur me forcë në zyrë, ndërkohë që nuk kanë munguar as prekjet me kolegët e saj të PD-së. Një punonjëse e Gardës ka ndërhyrë që konflikti mes deputeteve të mos vijonte.
“Ju lutem mos prek me dorë”, i drejtohet ajo Isuf Çelës që qëndronte tek dera.
“Si kamikaze! Je dhe grua, nuk bën gruaja kështu”, dëgjohet duke iu drejtuar një demokrate, deputetes së PS.
Të shpërndarë në disa prej sallave ku do të nisnin Komisionet, deputetët e PD-së kanë zgjedhur disa mënyra në tentativën për bllokimin e socialistëve. Në hyrjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ata janë bërë mburojë duke qëndruar të ulur në karriget e tyre.

Gjatë ditës së sotme, në axhendën e Kuvendit ishin parashikuar mbledhjet e 10 Komisioneve Parlamentare, ku është duke u diskutuar projektbuxheti për vitin 2024. Shumica e Komisioneve ishin thirrur online, ndërkohë që të njëjtin fat do të kenë tashmë të gjitha, pas tentativave për bllokim fizik nga ana e opozitës.
Ishte Kuvendi i Shqipërisë që publikoi pasditen e djeshme një vendim të Konferencës së Kryetarëve të marrë më 1 nëntor për zhvillimin e mbledhjeve online të komisioneve parlamentare, një vendim që kontestohet nga opozita si i paligjshëm.
“Për shkak të situatës së krijuar, mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe organeve të tjera të Kuvendit mund të zhvillohen online…,”-thuhet në pikën 4 të vendimit të publikuar në faqen e Kuvendit. Por para se vendimi të bëhej publik, komisionet parlamentare bënë disa mbledhje online vetëm me praninë e deputetëve socialistë, pasi deputetët e opozitës tentuan të bllokonin zhvillimin e tyre fizikisht në shenjë proteste për rrëzimin e disa kërkesave për komisione hetimore dhe përfaqësim në komisionin e reformës zgjedhore./Zëri.ai