Politikë

KAOSI në Kuvend/ MB, SHBA dhe Gjermania: Palët të dialogojnë

Në reagimet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë vihet theksi tek dialogu mes palëve si e vetmja rrugë për funksionimin e parlamentarizmit.

E.K
KAOSI në Kuvend/ MB, SHBA dhe Gjermania: Palët të dialogojnë
Ambasadori britanik, gjerman dhe i dërguari me punë i SHBA-së Tiranë, foto ilustruese Kuvendi

TIRANË- Selitë diplomatike më të rëndësishme të akreditura në Tiranë kanë reaguar këtë të martë pas kaosit të shkaktuar në Kuvendin e Shqipërisë seancave të fundit e që kulmoi një ditë më parë flakadanët e tymueset që ndezën dhe zjarr në Kuvend. Në reagimet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë vihet theksi tek dialogu mes palëve si e vetmja rrugë për funksionimin e parlamentarizmit.

Në një reagim për Zërin e Amerikës, ambasada e SHBA-së në Tiranë shprehet se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t'u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”. Më tej SHBA shton se situatat e shkaktuara në Kuvend nuk i shërbejnë Shqipërisë.

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Britania e Madhe. Përmes një reagimi zyrtar, selia diplomatike e Madhërisë së tij Mbretit Charles III kërkon që palët të ulen në dialog dhe të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”.

REAGIMI:

Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive.

U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve.

Nga Bashkimi Europian ka reaguar Ambasada e Gjermanisë. Ka qenë vetë ambasadori Karl Bergner, i cili kërkoi nga palët politike të rikthejnë parlamentin në kushte normale funksionimi. Ambasadori gjerman ka theksuar se është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ushtrojë kontrollin e ekzekutivit.

Ai tha se është shumë e rëndësishme që maxhoranca dhe opozita e vendit të bashkëpunojnë, me qëllim që të plotësojnë detyrat, për të cilat janë ngarkuar.

Karl Bergner: Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti. Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve.

Prej javësh Kuvendi i Shqipërisë nuk po funksionon në kushte normale. Mospranimi i ngritjes së Komisioneve Hetimore Parlamentare nga ana e maxhorancës ka bërë që opozita të “kthejë përmbys” jo vetëm karriget e deputetëve por dhe funksionimin normal të Parlamentit. Palët me sa duket janë ende larg zgjidhjes së ngërçit parlamentar ndërkohë që opozita ka brektisur dhe punimet e Komisioneve Parlamentare, të cilat për shkak të bllokimit të sallave po zhvillohen online./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB