
TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Bledi Çuçi ka paralajmëruar kolegët e opozitës së do ndëshkohen. Në fjalën e tij para mediave, Çuçi tha se nëse rregullat do të thyhen dhe në Kuvend do të krijohet kaos dhe tensione, PS do të marrë masa. Po ashtu, pretendoi se asnjë nga deputetët nuk është ndaluar që të futet në Kuvend, por kur hasi kundërshtinë e gazetarëve, ndryshoi kurs duke u shprehur se të paktën ai nuk e ka parë.
"Besoj se e kam pasur të qartë që përballë rregullit nuk do na ndalë asgjë sepse jemi mandatuar nga shqiptarët që të bëjmë një jetë parlamentare normale. Nëse do të vazhdojnë kështu, nuk e di se çfarë presion që të kuptojnë akoma, po vazhduan ne do të vazhdojmë me kërkesat tona për të përjashtuar këto që prish seancat apo mbledhjet e rëndësishme të komisionit. Askush nga deputetët e papërjashtuar nuk është ndaluar dhe nuk u ndalua as sot. Ky teatër që merr kolegët e përjashtuar, për t’i futur me zor, është teatër kukullash,"-tha Çuçi.