
TIRANË- Policia e Shtetit ka gjetur një përgjegjës për rrjedhjen e të dhënave të TIMS, Ervin Muçën. Teksa anëtarët e Komisionit Hetimor për Sistemin ‘TIMS’ po shqyrtojnë përgjigjet e mbërritura nga institucionet pas kërkesave për informacion është zbardhur përgjigjia nga Policia e Shtetit. Në përgjigje thuhet se janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës vetëm drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit, Ervin Muçën.
Përgjigjia:
Nga grupi i punës është konstatuar se duke filluar nga orët e pasdites të datës 2.08.2023 dhe deri në orët e para të mëngjesit në godinën e departamentit të teknologjisë së informacionit janë parë lëvizje të shpeshta të Ervin Muçës, një pjesë e punonjësve të stafit dhe personave të tjerë jashtë kësaj strukture. Janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit. 1. Shkelja e procedurave standarde për hyrjen godinën në Policinë e Shtetit. 2. Mos njoftimi i eprorëve për hyrjen e personave të paautorizuar duke u ekspozuar atyre detaje apo infrastrukturën e rrjetit të brendshëm të policisë së shtetit që përbën shkelje.3.Përdorimi i kodit Check in të punonjëses pa dijeninë e saj për të hyrë në ambientet e godinës në pa ndonjë arsye bindëse me persona të tjerët të paautorizuar dhe në orët e vona të natës. 4. Mosrealizimin e detyrimeve nga Ervin Muça për përmirësimin e akteve sipas strukturës së re dhe afateve të caktuara në programin e punës.
Ndërkohë deri më tani 3 institucione ende nuk kanë depozituar përgjigjet e pyetjeve të përpiluara nga ekspertët e Komisionit drejtuar Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Tiranës./ZËRI