Politikë

Mocioni me debat për “Xibrakën”, Çuçi rrëzon kërkesën: Çështjet janë ezauruar. Bardhi: Ka një dosje në sirtar

Çuçi, tha se nuk e mbështesin kërkesën e opozitës për mocion me debat.

f.t
Mocioni me debat për “Xibrakën”, Çuçi
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve

TIRANË-Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, tha se nuk e mbështesin kërkesën e opozitës për mocion me debat sepse çështjet për të cilat është kërkuar janë ezauruar nga gjyqësori apo edhe në komisione hetimore parlamentare.

"S'kemi si te vendosim sot një datë për mocionin, kur mendojmë se ky mocoion s'duhet zhvilluar fare pasi janë cështje të stër-ezauruara. Nga mënyra si eshte parashtruar kerkesa s'ka vend fare per mocion. Kerkesa e opozites lidhet me ceshtje qe jane gjykuar nga drejtesia madje edhe me vendime të formës se prerë, qe jane ezauruar edhe ne debatet parlamentare dhe komisionet hetimore parlamentare. Nuk mund te ulemi sot te flasim per daten e një mocioni", deklaroi Çuçi.

Ndërkohë kreu i Grupit Parlamnetar të PD, Gazment Bardhi iu përgjigj duke i thënë se laboratori i Xibrakës nuk është çështje e ezauruar dhe se kërkesa për mocion me debat, është e drejtë e opozitës.

"Ju mund të jeni dakord që të mos ekzistoje opozita, por s’e keni në dorë ju. Kërkesa për mocion me debat, është e drejtë e opozitës. Ju folët për çeshtje të ezauruar, por ju kujtoj se laboratori i Xibrakës nuk është çështje e ezauruar. Ka një dosje të veçuar, e cila është sirtar dhe nuk nuk është trajtuar. Raporet ndërkombëtare flasin për një problem të shtuar të trafikut të drogës. Prandaj do duhet të ketë mocion për këtë çështje. Por ju s’keni interes kur folët për grabitje prone, s’keni interes kur folët për ekonominë, s’keni interes kur folët për krimin,"-tha Bardhi.

Po ashtu Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u shpreh se “mocionet me debat nuk mund te jenë manuale denigrimi, cënimi të personalitetit apo shpifjeve”, duke shtuar se diçka e tillë ndodh prej 33 vitesh. Ajo u shpreh se Rregullorja i kërkon kryetares së Kuvendit mos t’i zhvillojë mocione te tilla qesharake.

“E di që është bërë zakon dhe vijimësisht përdoren jo vetëm familjarët, por kushdo i lidhur me një politikan të kësaj shumice apo kësaj qeverie për t’u bërë mish për top i diskutimit të përditshëm, dhe kjo nuk ndodh sot, por ndodh këtu e 33 vjet, që kur ai që ështe në ballkon, ishte në krye. E para dhe mbi të gjitha, ky rend dite siç ka ardhur në Konferencë të Kryetarëve, nuk kalon për ne. Për t’i hyrë pak më në thelb, ne anashkalojmë një nen të rregullores që thotë se Kryetari I Kuvendit ka të drejtë te refuzojë interpelnca, mocione e kërkesa kur janë formuluar me fjalor të pahijshëm, paraqisin çështje që nuk janë përgjegjësi e Këshillit të Ministrave, cënojnë nderin, jetën private dhe personalitetin e një individi, etj,"-u shpreh ministrja.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi paraqiti mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit tëlëndëve narkotike në vendin tonë në 10 prill. Në kërkesën e tij Bardhi specifikonte se nga viti 2014 e në vijim, Shqipëria u bë vendi i parë në Evropë sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Agjencitë ligjzbatuese evropiane dhe raportet ndërkombëtare evidentuan faktin se grupet kriminale të angazhuar në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kishin bashkëpunëtorë të ngushtë në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit dhe Qeverisë, të cilët përbënin garancinë e tyre për vijimin normalisht të aktivitetit kriminal.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB