
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në arrest shtëpie Sali Berishën, duke rrëzuar kërkesën e tij për t’u liruar. Ka qenë gjyqtarja Ilirjana Olldashi ajo që ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Berishës, ndërkohë që më herët e njëjta gjyqtare kishte dhënë një masë sigurie më të butë për Jamarbër Malltezin.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Gjykata.
Në një deklaratë për mediat pas seancës, avokati Genc Gjokutaj e ka cilësuar këtë vendim të Apelit si një absurd duke theksuar se do vijojë rekursi në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e miratoi vendimin e Shkallës së Parë. Unë ju thashë dhe dje, kërkesa për përjashtimin e gjyqtares u shqyrtua pas marrjes së vendimit për Berishën, është një gjë absurde. As më shumë e as më pak, Gjykata e Apelit vërtetoi që u dekriptua përfundimisht qëllimi politik i mbajtjes në izolim të zotit Berisha.
Pasi për SPAK-un dhe për Gjykatën Anti-Korrupsion nuk ka rëndësi nëse ai paraqitet ose jo, nëse ai jep shpjegime apo jo, është në dispozicion të procesit apo jo, qëllimi është që ai të izolohet. Zoti Berisha erdhi një ditë para gjykimit, Gjykata e shtyu sot, nuk e kuptova arsyen. Ka bërë dhe një gabim tjetër, se nuk është shprehur për kërkesën për përjashtimin që ne kemi animuar bashkë me vendimin.Beteja vazhdon", u shpreh Gjokutaj.
Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”.
/ZËRI