
TIRANË- Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e koalicionit "Bashkë fitojmë" dhe Partisë për Bashkim dhe të Drejtat e Njeriut për pavlefshmëri të zgjedhjeve të pjesshme lokale në Himarë. Me vendimin e sotëm, i hapet rruga kryebashkiakut të zgjedhur Vangjel Tavos që të betohet dhe të marrë zyrtarisht detyrën si i pari i qytetit.
Sipas opozitës, zgjedhjet ishin të manipuluara dhe nuk u respektuan standardet e duhura demokratike. Ndaj edhe me kërkesë të tyre, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi hapjen e kutive te materialeve zgjedhore për Bashkinë e Himarës. Pas hapjes së kutive, KAS deklaroi se nuk zbuluar parregullsi në në zgjedhje dhe la në fuqi rezultatin nga numërimi i votave.
Gara për kreun e Bashkisë Himarë u zhvillua mes kandidatit të Partisë Socialiste (PS), Vangjel Tavo, dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Tavo u shpall fitues me 58.62% të votave, duke siguruar një avantazh prej mbi 17% nga rivali i tij Gjikuria. Opozita ka kontestuar këtë rezultat, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të manipuluar.
Zgjedhjet e 4 gushtit erdhën pas arrestimit dhe dënimit të ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, i cili u dënua me dy vjet heqje lirie për blerje votash. Pas daljes së tij nga burgu, Beleri ka premtuar se çështjen e Bashkisë së Himarës do ta dërgojë edhe në Gjykatën e Strasburgut./ZËRI