
TIRANË- Për 6 orë, Komisioni Hetimor për koncensionet në Shëndetësi ka marrë në pyetje disa nga ish-drejtuesit por edhe drejtuesën aktuale të Qendrës Spitalore "Nënë Teresa". Nën drejtimin e Albana Vokshit dhe Plarent Ndrecajt, të gjithë u janë përgjigjur pyetje, ndërkohë që me vete kanë marrë edhe "detyra shtëpie" për çështje që duhet t'i rishikonin. Për më shumë se tre orë ka zgjatur marrja në pyetje e aktualisht zv.ministrit të Mbrojtjes, Enkel Joti. Joti, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të QSUT, mars 2017 – 2021 është thirrur për të dëshmuar në lidhje me koncesionin e sterilizimit me kompaninë "Sani Service".
Në fjalën e saj, duke lexuar raportimet e mjekeve për problematikat me të cilat janë hasur nëpër ndërhyrje kirurgjikale, është shprehur se edhe vetë Joti ka ngritur shqetësimin lidhur me koncensionarin. Për këtë rast ka marrë një shkresë të depozituar në korrik të 2019 nga kardiokirurgu, Edvin Prifti. Mjeku asokohe denonconte faktin se materialet e mjekimit në repartin e kardiokirurgisë vazhdojnë të sterilizohen në aerosteril.

Në përgjigje, Joti hoqi përgjegjësinë nga koncesionari por shtoi se çështjet që ngriheshin nga ekipi mjekësor ia raportonin koncensionarit në mënyrë që të viheshin në dijeni me problematikat dhe të ishin më të përgjegjshëm për të minimizuar gabimin njerëzor.
"Ne ja kemi raportuar që koncesionari të jetë më i përgjegjshëm, por kjo nuk do të thotë se nuk ka kryer funksionet e veta dhe nuk ka funksionuar koncesioni. Unë mund të them. Në dijeninë time koncesionari ka qenë gjë e mirë që është bërë për QSUT-në. Nuk e di nga ana financiare por nga impakti që kam marrë nga stafi. Normale që kishte problematika, do të ishte anormale nëse nuk kishte. Ata nuk janë robotë. Problem do të ishte nëse nuk do i kisha adresuar,"-tha ai.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi e ka pyetur Jotin për raportin e KLSH-së në 2019-ën ku thuhet se ambienti prej 700 metrash katrorë i ishte vënë koncesionarit në QSUT për të bërë procesin e sterilizimit pa marrë pagesë qiraje mujore. Joti tha se nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e ministrisë së Shëndetësisë mbi këtë gjetje të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në diskutime Vokshi tha se dhënia e ambientit pa pagesë qiraje është dëm për buxhetin e shtetit.
Për shumë pyetje të tjera është shprehur se ka kaluar shumë kohë dhe nuk i ka të qarta detajet duke u përgjigjur shkurt: Nuk e mbaj mend!
PJESË NGA KOMISIONI:
Albana Vokshi: Cilat investime ishin bërë nga koncesionari?
Enkelejd Joti: Ne monitoronim zbatimin e pikave që kanë pasur në kontratë për t’i dhënë shërbim QSUT.
Albana Vokshi: I referohem njërit prej auditimeve të bëra në QSUT nga ju kur ishit kreu i KLSH në 2019-ën. Janë bërë një sërë vërejtjesh, po ashtu ka qenë gjetje e KLSH se ju i keni dhënë koncesionarit më shumë se 700 metra katrorë pa qira. A keni marrë ju masat e duhura për zbatimin e rekomandimit të KLSH?
Enkelejd Joti: Nuk e di a e keni marrë kontrollin e KLSH për zbatimin e rekomandimeve të KLSH. Dhënia pa qira ka qenë e përcaktuar në kontratë. Gjetja e KLSH ka qenë që ministria e Shëndetësisë të rishikojë mundësinë e futjes së qirasë. Kjo ka qenë detyrë e ministrisë.
Albana Vokshi: Në cilin nen të kontratës parashikohet që lihet falas?
Enkelejd Joti: Nëse më lini kohë mund të pyes sepse nuk isha i përgatitur për këtë gjë.
Albana Vokshi: Jeni thirrur për koncesionin e sterilizimit. Për këtë do bëheshin të gjitha pyetjet jo për gjëra të tjera. Në cilin nen thuhet që QSUT duhet të lërë falas në dispozicion të koncesionarit këtë ambient prej 700 metrash katrorë? Sepse unë nuk e kam lexuar një gjë të tillë.
Enkelejd Joti: KLSH rekomandoi që kontrata e qirasë duhet të paguhet nga koncesionari, e ka lënë detyrë te drejtori që duhet ta raportonte tek ministria dhe kjo gjë ka ndodhur.
Albana Vokshi: Është gjetur shkelje dhënia pa qira për kryerjen e procedurave të sterilizimit pajisjeve mjekësore. Ndërkohë ambientet janë të QSUT apo spitaleve të tjera.
Albana Vokshi: Auditimi i KLSH, ku institucion bëri disa vërejtje, mes tyre marrja e centralit të sterilizimit në përdorim. Gjetje e KLSH që pavarësisht se nuk theksohet në kontratë ju ia keni lënë koncesionarit pa qera, KLSH madje ka vënë edhe detyra në lidhje me këtë gjetje. Kush janë hapat që keni marrë?
Enkelejd Joti: Ju keni marrë vetëm raportin e KLSH. Nuk di a keni marrë kontrollin e KLSH për zbatimin e rekomandimeve. Vënia pa qera ka qenë e parashikuar në kontratë. Çdo rekomandim i KLSH-së, kemi për detyrë ta zbatojmë.
Albana Vokshi: Ka disa rekomandime që KLSH i ka gjetur në shkelje. Mungesa e qerasë është konsideruar dëm në buxhet. Është vetëm njëra. Nga kush kryheshin sterilizimet në QSUT?
Enkelejd Joti: Instrumentet sterilizoheshin nga Saniservice, në dijeninë time. Pyetjet janë teknike, nuk i mbaj mend detajet.
Pas tij është marrë "në pyetje" ish-drejtuesja e QSUT Albana Fico. Kjo e fundit e pyetur për qëndrimin e saj lidhur me sterilizimin, duke u shprehur se ishte një shërbim që e shihte si të nevojshëm. Lidhur me rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kjo e fundit e hoeqi përgjegjësinë, duke u shprehur se kontrolli nuk është kryer gjatë periudhës që ajo ishte në krye të detyrës.

"E para KLSH, i referohem periudhës që kam qenë vetë. Në mënyrën se si operojnë ata lënë rekomandime. Është një diferencë shume e madhe midis një rekomandimi dhe detyrimi. Ai të lë një rekomandim që ta zgjidhësh. Duam të shkojmë me sete apo ( e kam dëgjuar nga kirurget) ne i adresohemi MSH dhe shërbimeve. Ata janë njerëzit që e marrin këtë vendimmarrje. Janë rekomandime. I përcillet shërbimeve nëse kanë apo jo një shërbim,"-tha ajo ndër të tjera.
PJESË NGA RAPORTIMI I SAJ:
Xhelal Mziu: KLSH ka lënë disa rekomandime edhe në vitin që ju keni qenë që thotë për nonimin e pajisjeve që ndodhen në një set. Pse nuk e keni ushtruar edhe influencën që keni pasur me qeverinë për të bërë nominimin...
Albana Fico: Unë refuzoj! Çohem tani dhe mbaj të gjithë përgjegjësinë ligjore për largimin. Nuk kam lidhje të asnjëlloji me qeverinë shqiptare.
Xhelal Mziu: Si drejtoreshë.
Albana Fico: Të asnjëlloji. Mos më fyej të lutem!
Albana Vokshi: Jeni thirrur si dëshmitare dhe nuk mund të ooheni kështu
Xhelal Mziu: Në zbatimin e rekomandimeve të KLSH, së pari ka kërkuar që të bëhet nominimi i seteve sipas nevojave. Ka kërkuar që të mos aplikohet TVSH, së treti ka kërkuar që të merret qeraja për laboratorin. Këto tre rekomandime, a i keni adresuar? Pse nuk keni gjetur zgjidhje?
Albana Fico: Kërkoj ndjesë që ngrita tonin, por jam e trajnuar me sytë e vdekjes dhe nuk më bën përshtypje. Kërkoj unë ndjesë. E para KLSH, i referohem periudhës që kam qenë aty vetë. Ata lënë rekomandimi dhe një detyrimi. Ka shkolla të ndryshme për këtë çështje, duhet të shkojmë me setet apo...? Ne adresojmë dy momente, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimeve, ata i marrim vendimet.
Albana Vokshi: Çfarë ndodh me mbetjet?
Albana Fico: Unë realisht nuk e kam këtë informacion të saktë. Nëse iu duhet, ua nis me përgjegjësi.
Albana Vokshi: A ka pasur raste më të shpeshta që kanë marrë infeksione post-operatore?
Albana Fico: Edhe për këtë do më duhet që t'ju kthej përgjigje...

E fundit që dëshmoi ishte Alma Cani, e cila u zgjodh në krye të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e pyeti për tenderin e parë që ajo ka dhënë...me flamur të kuq! Përfituesit e tenderit janë Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj, bashkëpronarë të kompanisë “O.E.S DISTRIMED”. Tenderi pa garë është fituar për vlerën 2.1 milionë euro me TVSH dhe pretendohet se do të sigurojë materiale specifike për neurokirurgjinë. Në përgjigje, Cani tha se nuk e mbante mend tenderin dhe më pas vendosi të përgjigjej.
PJESË NGA KOMISIONI:
Ina Zhupa: Çfarë mbulon koncensionari?
Alma Cani: I mbulon të gjitha
Ina Zhupa: Përse janë kërkuar veshje të reja sterile?
Alma Cani: Detajet do t'ua kthej me shkrim
Ina Zhupa: Nuk ka detaje tani, deri tani u lamë të thoni, nuk e mbaj mend këtë, nuk e mbaj mend atë. Dhe je në të drejtën tëndë të mos i mbash mend më përpara. Nuk mbani mend tenderat që keni bërë? Ke shumë tendera? Nuk e mban këtë tender që ke bërë për veshjet sterile
*ndërhyn Albana Vokshi
Alma Cani: Tenderi është ndofta nga kërkesa që mund të jetë bërë nga shefat e shërbimit.
Albana Vokshi: Kontrata ka të përfshirë që edhe kur rriten kërkesat i sjell koncensionari.
Alma Cani: Ndofta është bërë vetëm për materiale mjekimi, veshjet sterile janë për vizitorët që futen për të vizituar të sëmurin.
Ina Zhupa: Tani u kujtove? Më mirë lëre fare se ky komision do shkojë në SPAK
Alma Cani: Epo nuk e kam bërë unë tenderin, është firmë e deleguar.
Mbledhja e Komisionit do të vazhdojë edhe nesër me 4 dëshmi të tjera.
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u arrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim ishin edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ky i fundit, ka përfunduar në pranga pasi ishte nën hetim për 1 vit. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up.
Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. Më 18 mars SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI