
TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Goro dhe Bilal Aliaj ankimuan vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar duke kërkuar zëvendësim të masës, kërkesë kjo që është rrëzuar nga Apeli i Posaçëm.
VENDIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 30.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 17 akti, datë 25.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim J.G. dhe B.A., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 31, datë 23.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 34, datë 26.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi.
– Miratimin e vendimit nr. 31, datë 23.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 34, datë 26.03.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim J.G. dhe B.A.
Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi.
Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall. Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli. Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Aktualisht Goro dhe Bashi janë në "arrest me burg"; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim. /ZËRI