
TIRANË- Palët kanë rënë dakord që të mos bien dakord për vijimin e punimeve të Komisionit Hetimor për koncensionet e Sterilizimit dhe Check-up në Shëndetësi. Edhe takimi i sotëm ka mbledhur në sallë vetëm demokratët, pasi anëtarët e Partisë Socialiste zgjodhën bojkotin edhe sot. Mungesa e korrektësisë, ka bërë që kryetarja e Komisionit Hetimor, Albana Vokshi të kërkojë përjashtimin e dy prej socialistëve, secilin për arsye të ndryshme. Plarent Ndreca sipas saj duhet të largohet pasi ka për qëllim ta drejtojë ai Komisionin, ndërsa Milva Ekonomi, pasi ka konflikt interesi.
“I kemi kërkuar kryetarës së Kuvendit që në përputhje me kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit të ushtrojë përgjegjësitë e saj. I kemi bërë thirrje publike, por jo vetëm, që të marrë masa urgjente për kthimin në normalitet të komisionit hetimor parlamentar. I kemi bërë kërkesa të përsëritura, për deputetët që refuzojnë të marrin pjesë dhe të përjashtojë nënkryetarin, zotin Ndreca. Duhet të miratojmë kërkesat për informacion, mund të fillojë hetimi real parlamentar,”- tha Vokshi.
Në një deklaratë të ndarë për mediat, anëtarët socialistë të Komisionit Hetimor për Shëndetësinë thanë se opozita duhet të zbatojë ligjin dhe t’i kthehet hetimit parlamentar. Si përgjigje nga Partia Socialiste ka marrë vetëm një fjali: Nuk do marrim pjesë deri kur mbledhjet dhe rendi i ditës të bëhen me dakordësi.
"Përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin Hetimor për kontratat në shëndetësi nuk do t'i përgjigjen thirrjes së kryetares së komisionit Albana Vokshi, për sa kohë në mënyrë të përsëritur vijohet me praktikën e caktimit të rendit të ditës në mënyrë të pakoordinuar dhe padakordësuar. Edhe kësaj radhe, caktimi i rendit të ditës dhe orës e datës së mbledhjes është vendosur pa qenë ne në mbledhje. Ne kemi vendosur tashmë deklarimin e hapur të hetimit duke miratuar Planin e Hetimit bashkë me kalendarin, ku pasqyrohen qartë të gjithë hapat hetimorë të komisionit. Po kështu kemi miratuar kërkesat për marrje provash të opozitës dhe mazhorancës. Për sa kohë mbledhja në fjalë është fuqi, duhet respektuar vendimarrja e anëtarëve të komisionit. Çdo shfaqje viktimizimi nga opozita është shprehje e paaftësisë për të ndjekur procedurën ligjore dhe për të kryer një hetim të plotë e serioz. Opozita duhet të heqë dorë nga hetimi partiak dhe t'i kthehet hetimit parlamentar ashtu siç e kërkon ligjit sepse ne kemi vendosur të vijojmë me hetimet dhe të respektojmë kalendarin e Planit Hetimor."
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u arrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI