
TIRANË- Sezoni i ri parlamentar, që pritet të nisë këtë të hënë në Kuvend, rikthen disa çështje të lëna pezull nga deputetët, siç është dhe raportimi para parlamentit i kreut të SHISH, Arben Shehu. Në fundin e muajit Korrik, Shehu raportoi në disa prej komisioneve, por raporti përfundimtar nuk kaloi në Kuvend, për shkak se deputetët socialistë kërkuan përgjigje shtesë prej tij.
Edhe në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, nuk munguan debatet, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi replikoi me deputetin Eduard Shalsi, duke thënë se është e paprecedentë, që kreu i SHISH të mos ketë raportuar në Kuvend, teksa nis sesioni parlamentar i vjeshtës. Sipas tij e gjitha kjo bëhet për të shantazhuar kreun e KLSH-së, Arben Shehu.
Bardhi thekson se kjo ka ndodhur për interesa personale dhe është e papranueshme.
“Është e paprecedentë shtyrja e raportit. Po e përdorni këtë për të shantazhuar kreun e KLSH-së. Kjo po ndodh për interesa personale dhe është e papranueshme”, u shpreh Bardhi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Paralelisht me përplasjet publike që kanë pasur me Arben Shehun, socialistët kanë ngritur dhe një strukture të re parlamentare brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat, që synon kontrollin e verpimtarisë të institucioneve publike, përfshirë KLSH-në.
Arben Shehu është zgjedhur prej 5 vitesh në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit me propozim të presidentit të kohës Ilir Meta, pasi 3 kandidatura të tjera të tij ishin rrëzuar nga Kuvendi. Mandati i kreut të KLSH-së është 7-vjeçar, ndërsa Shehu zëvendësoi në këtë institucion Bujar Leskajn, i cili në vitet e fundit ka shërbyer si deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës.
KLSH në objektin e saj të punës ka kontrollin mbi veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridike shtetërore; përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor; veprimtarinë ekonomike të personave juridike, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tjera garantohen nga shteti.
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka një imunitet të ngjashëm me atë të kryetarit të Gjykatës Kushtetese, e për këtë shkak sulmet ndaj Shehut, në këtë moment politik, flasin për një siklet të socialistëve në raport me këtë institucion. KLSH është një prej institucioneve që ka ndihmuar SPAK në nisjen e hetimeve për dhjetra dosje korruptive, si dhe iu drejtohet me rekomandime çdo subjekti që ka pëe detyrë që të garantojë dhe mbrojë financat publike. /ZËRI