Aktualitet

Polemika e ashpër për KLSH-në, si u përfshinë socialistët në ballafaqimin e Arben Shehut me Mimoza Dhëmbin

Në të njëjtën javë, ku në njërën anë i kërkon llogari në Komisionin e Ekonomisë, dhe në anën tjetër votonin një nënkomision që ka si objekt dhe kontrollin e KLSH-së, socialistët duket se fshehin një raport delikat me Arben Shehun

E.K
Polemika e ashpër për KLSH-në, si u përfshinë
Arben Shehu, Mimoza Dhembi dhe Eduard Shalsi

TIRANË- Java që lamë pas, e fundit për këtë sesion parlamentar, nxori në skenë një përplasje, që përflitej prej kohësh mes mazhorancës qeverisëse, dhe institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e materializuar me debatet e forta të Komisionin e Ekonomisë, që kishin për protagonist kryesor deputetin socialist Eduard Shalsi. Ky i fundit, ka qenë ndër më aktivët në sulmet, apo nëse mund të quhet ndryshe dhe në kërkesën për llogaridhënie nga kreu i KLSH-së Arben Shehu, i cili raportoi në Komisionin e Ekonomisë, mbi ecurinë e punës të institicionit që ai drejton për vitin 2023. Por edhe pse diskutimet në Komisione u dukën shteruese, mazhoranca socialiste kishte ende pyetje pa përgjigje nga ana e Shehut, dhe për këtë shkak KLSH është i vetmi institucion që nuk raportoi në Kuvend në mbyllje të këtij sesioni parlamentar. Dhe në kulmin e këtyre përplasjeve që tashmë janë edhe publike mes socialistëve dhe KLSH, në Kuvend u ngrit një nënkomision për auditimin e institucioneve publike, ku për herë të parë do t’i kërkohet llogari edhe vetë Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me financat. Komisioni si për ironi të fatit do të drejtohet nga opozitarja Emilia Koliqi, ndërsa kolegët e saj në Kuvend i bënë avokatinë Arben Shehut, si gardianin e vetëm që ka mbetur në institucionet publike në vend sipas tyre. 

Por le t’i marrim gjërat me radhë…

Përplasja e parë e fortë gjatë raportimit në Komision të kreut të KLSH-së, ishte denoncimi i tij për institucionin e AKU-së, dhe lidhja që sipas tij kanë rritja e sëmundjeve kancerogjene në Shqipëri, me sigurinë ushqimore. Për ta ilustruar këtë, Shehu solli në vëmendje një denoncim dhe gjetje të KLSH-së në vitin 2021, ku një sasi e madhe akulloresh me përmbajtje kancerogjene, janë lejuar që të shiten lirshëm në treg, dhe AKU nuk veproi për asgjesimin e tyre. Shehu zbuloi se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, teksa produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë. 

Por nëse ky denoncim, edhe pse i rikthyer si kambanë alarmi do të shërbente për të ngritur edhe njëherë shqetësimin mbi sigurinë ushqimore në vendin tonë, u kthye në një mjet sulmi për socialistët në drejtim të KLSH-së. Eduard Shalsi e akuzoi kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit për përhapje paniku, dhe hodhi dyshime mbi qëllimet e rikthimit të këtij denoncimi 3 vite më pas. Pavarësisht këmbënguljes së Shehut, që çështja u përdor si ilustrim, edhe për skandalin e denoncuar së fundi në spitalin Onkologjik, socialistët vazhduan të shprehnin shqetësimin e tyre, se kjo mund të ngjallte panik në radhët e qytetarëve. Të gjendur përballë sfidës së Shehut, se mund të denonconte skandale të tjera që lidheshin me sigurinë ushqimore, dhe që janë prezente aktualisht në vendin tonë, socialistët refuzuan që të dëgjonin më shumë në këtë drejtim.

DEBATET PËR AKULLOREN

Arben Shehu: Nuk ka të bëjë me një situatë aktuale, nuk është një rast, por një situatë që ne e kemi vlerësuar dhe i kemi dhënë vlersësimin e duhur në tërësi, dhe e kemi trajtuar dje, që nuk nevojitet ndëshkimi i një individi, apo një grupi individësh, ne kemi qëllim përmirësimin e situatave. Duke komunikuar përmes rekomandimit, në rastin konkret ne e kemi lidhur për të raportuar mbi logjikën që duhet të kemi në komunikimin mes institucioneve. Për aq sa është e mundur jemi të prirur që të mirëkuptojmë pa shkelur ligjin.

Eduard Shalsi: Pse na e sollët si rast dje, dhe nuk erdhi në vëmendjen tonë, në vitin 2022 apo 2023. Pse nuk na e sollët këtë shqetësim, nëse është e vërtetë që autoriteti shqiptar nuk ka reaguar, çfarë ka çaluar në Shqipëri. Ne duhet ta ballafaqojmë këtë gjë, se dje shqiptarët dëgjuan se çfarë pasojash mund të ketë sjellë. Çfarë ju shtyu të na e thoshit dje, dhe të mos na e kishit sjellë më herët këtë situatë. Për çfarë e bëtë këtë alarm a mund të na e thoni?

Shehu: Kjo është fyese jo vetëm për mua, por për institucionin.  Unë mendoj se e dhashë përgjigjen e kësaj pyetje, por po e përsëris edhe njëherë, ndihemi keq që vihemi para një përgjegjësie të tillë, kur kemi shprehur shqetësimin për një situatë që na prek të gjithëve. Kemi qëllim përmirësimin, në rastin konkret ne e kemi trajtuar rastin e Onkologjikut, sepse është një situatë serioze. Më lejoni që të vazhdoj logjikën.

Shalsi: Pse në 2024 na sillni rastin e 2021?

Shehu: Është trajtuar për shkak të nevojës së një analize që ka për situatën tumorale në vend, është rrjedhë logjike, për të gjetur shkaqet që kanë çuar në rritjen e rasteve të sëmundjeve. Ne e kemi pasqyruar këtrë shqetësim në institucionet përkatëse. Nëse ju mendoni që çdo shqetësim ta reflektojmë këtu, ne jemi të gatshëm. Momentalisht nëse më lejoni, po ju transmetoj një situatë aktuale. Nëse ju doni të transmetojmë raste konkrete, ne jemi të gatshëm.

Shalsi: Dje doni apo nuk doni ta pranoni është krijuar një panik, nuk është në qëllimin tonë, që të sulmojmë drejtuesit e institucioneve. Nuk është qëllimi ynë që t’iu lëndojmë po duhet të jemi të vetëdijshëm që ajo që ju deklaruat ka nxitur shqetësime.

Por edhe e nesërmja e raportimit të Arben Shehut në Komisionin e Ekonomisë, nuk do të ishte më e qetë se mbledhja ku diskutohej mbi AKU-në. Në këtë Komision, përtej kompetencave të lejuara nga ligji, u bë për herë të parë ballafaqimi, mes kreut të KLSH-së, dhe një subjekti që ishte gjetur në shkelje nga ana e tij, e madje ishte kërkuar edhe shkarkimi. Bëhet fjalë për drejtoreshën e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, e cila sipas KLSH, është gjetur në shkelje në një audit të kryer prej tyre në këtë institucion. Në mënyrë të pazakontë, Shalsi kërkoi një ballafaqim mes saj dhe kreut të KLSH-së, edhe pse në fakt Komisioni i Ekonomisë nuk ka kompetencat e prokurorisë apo të gjykatës.

Praktika e ndjekur nga Shalsi u kundërshtua nga vetë kreu i KLSH-së, por edhe deputetët e opozitës në Komision, të cilët e konsideruan përballjen të rrezikshme, por megjithatë Shalsi nuk u tërhoq dhe Mimoza Dhëmbi pati të gjithë hapësirën e saj për t’u shprehur, dhe bërë mbrojtjen e saj.

PJESË NGA DEBATI PËR BALLAFAQIMIN MES SHEHUT DHE DHËMBIT

Arben Shehu: Kjo situatë nuk ka lidhje me detyrimin tonë për të raportuar për këtë çështje. Është një precedent i pabazë ligjërisht për të thirrur të gjithë punonjësit e administratës për pretendimet e tyre. 

Eduard Shalsi: Ku bazoheni që nuk thoni që është i bazuar ligjërisht.  

Arben Shehu: Ne kemi detyrim raportimin vjetor, jo çështje të tjera. 

Eduard Shalsi: Eshtë i vërtet që nuk është i ndodhur ky precedent, por në dijeninë time KLSH kurrë nuk ka bërë një raport të tillë.

Arben Shehu: Jemi të vlerësimit, që kjo nuk është pjesë e detyrimit për të raportuar. Kërkoj të rishikoni vendimin tuaj, kjo do ti shërbej edhe ecjes përpara në bashkëpunimin institucional, për të përmirësuar ecurinë e punës. 

Eduard Shalsi: Ajo nuk do të vendoset në siklet. Mos u shqetësoni se është me eksperiencë. Sot ke një status tjetër, nuk do ta dëshironim këtë. Por ne këtej na ka shqetësuar ky paragraf.  Një Cv të karrierës tënde.  

Mimoza Dhëmbi: Kam filluar punë që në 92’, dhe kam ndërruar 15-16 ministra, duke nisur nga Genc Ruli dhe përfunduar sot.

Eduard Shalsi: Keni pasur raste të tjera ku janë marrë masa përballë jush.

Mimoza Dhëmbi: Jo është hera e parë, me KLSH-në kemi pasur bashkëpunim dhe ballafaqim deri në produktin final. 

Eduard Shalsi: Si jeni ndjerë, jeni njohur paraprakisht për këtë raportin e KLSH?

Mimoza Dhëmbi: Ka qenë surprizë, për ne, kemi marrë raportin paraprak, dhe ishim të bindur që raporti vjetor s’do kishte surpriza. Ndërkohë që ishim në pritje të ballafaqimi këtë vit ai nuk u bë. Flasim për tetorin e 2023-shit, kur u bë buxheti faktik i 2022.

Gjini: A keni pasur kontakte me KLSH-në për konstatimet?

Mimoza Dhëmbi: Jo!

Erjon Braçe: Nëse unë kam një rezervë për atë që është thënë për drejtoreshën e buxhetit është që zyrtarët politik për ushtrimin buxhetor të mos fshihen por të mbajnë përgjegjësi. Është e thjesht të bësh përgjegjës një zyrtar të çdo niveli. E para është përgjegjësi politike. Zbatimi i tij është mirëfilli akt ligjor por për fakt është dhe akt politik. 

Gjetjet e KLSH-se dhe çfarë kërkoi për Mimoza Dhëmbi

RAPORT PËRFUNDIMTAR AUDITIMI NË MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË “AUDITIM I PËRPUTHSHMËRISË (tetor 2023)

-“Largim nga shërbimi civil” neni 57, pika 2 dhe neni 58 germa (ç) e ligjit nr. 153/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar: 

1. Për znj. M. DH., (Mimoza Dhembi) me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit: 

- Për problematikat në drejtim të mos respektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, në kundërshtim me kërkesat e LOB-it, që konsistojnë në: rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keqklasifikimin e investimeve, krijimin e kushteve për marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, problematika në lidhje me procesin 398 e detajimit të fondeve për rindërtimin, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA, shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve me detyrime të prapambetura, mungesën e monitorimit të stokut të detyrimeve të prapambetura, pasi nuk raportohet në vlerën e saktë dhe mbetet jashtë treguesve të konsoliduar fiskalë, gjenerimi i penaliteteve nga mos ekzekutimi në kohë i vendimeve të GJEDNJ; për përdorimin e fondit rezervë për rastet që duhet të përfshihen në ciklin normal të shpenzimeve referuar kriterit të parashikueshmërisë dhe dhënien e mendimit të MFE në kushtet e mungesës së dokumentacionit shoqërues të projekt akteve, duke ekspozuar cënueshmërinë e vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave; rishikimeve buxhetore përtej afateve të përcaktuara në kuadrin rregullator në fuqi dhe pas periudhave kur është mbyllur raportimi i treguesve fiskalë faktikë.

KOMISIONI QË DO KONTROLLOJË KLSH-në

Por teksa në njërën anë, demokratët vlerësonin se socialistët po ushtronin presion mbi kreun e KLSH-, një institucion i pavarur, në anën tjetër ata u bënë pjesë e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, që mori mbështetjen nga 90 ligjvënës. Ky nënkomision që do të shërbjë pranë Komisionit të Ekonomisë, pritet të ketë në objekt të punës së saj punën e KLSH-së. Pavarësisht konsensusit politik nisma është kritikuar nga opozita si një tentativë për cenimin e pavarësisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit.

SI U ZGJODH ARBEN SHEHU NË KRYE TË KLSH-së

Arben Shehu është zgjedhur prej 5 vitesh në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit me propozim të presidentit të kohës Ilir Meta, pasi 3 kandidatura të tjera të tij ishin rrëzuar nga Kuvendi. Mandati i kreut të KLSH-së është 7-vjeçar, ndërsa Shehu zëvendësoi në këtë institucion Bujar Leskajn, i cili në vitet e fundit ka shërbyer si deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës.

KLSH në objektin e saj të punës ka kontrollin mbi veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridike shtetërore; përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor; veprimtarinë ekonomike të personave juridike, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tjera garantohen nga shteti.

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka një imunitet të ngjashëm me atë të kryetarit të Gjykatës Kushtetese, e për këtë shkak sulmet ndaj Shehut, në këtë moment politik, flasin për një siklet të socialistëve në raport me këtë institucion. KLSH është një prej institucioneve që ka ndihmuar SPAK në nisjen e hetimeve për dhjetra dosje korruptive, si dhe iu drejtohet me rekomandime çdo subjekti që ka pëe detyrë që të garantojë dhe mbrojë financat publike. /ZËRI

Poll

MOS HUMB