Politikë

Kodi i ri Penal/ Shitblerja e votës, më shumë dënohet votuesi se politikani

Kush e shet votën dënohet me burg nga 2-7 vite.

k.m.
Kodi i ri Penal/ Shitblerja e votës, më shumë dënohet
Foto ilustruese

TIRANË- Drafti i Kodit të Ri Penal ka një seksion edhe për krimet zgjedhore. Sipas Kodit të ri, nëse një votues pranon para në këmbim të votës së tij, dënohet më shumë sesa politikani që ia blen votën. Kush e shet votën dënohet me burg nga 2-7 vite.

“Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi apo nga personat e familjes a të afërmit e tij të ngushtë i të hollave, të mirave materiale, ose favorizimeve të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për vete ose të tjerët, me qëllim për të dhënë firmën për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme në mbështetjen e një kandidati ose partie politike, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet”,- thuhet në Nenin 296, në draft Kodin e ri Penal. Më pak vite janë "shënuar" për zyrtarët apo politikanët që do të ofrojnë para në këmbim të votës. Për këtë kategori, dënimi paraqitet më i lehtë, 3-6 vite burg.

“Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike, dënohet me burgim nga tre deri në gjashtë vjet,"- thuhet në Nenin 297, në draft Kodin e ri Penal.

Ligji aktual parashikon që për korrupsion aktiv në zgjedhje, dënimi është 1 deri në 5 vite burg. Në Kod është parashikuar që të dënohet edhe votimi më shumë se njëherë. Për këtë shkelës, dënimi parashikohet 2-4 vite burg, nga 1-3 që është aktualisht. E dënueshme është edhe fotografimi i votës, që nga 3 vite burg aktualisht, shkon në gjobë ose deri në 2 vite heqje lirie./ZËRI

Poll

MOS HUMB