
TIRANË- Ambasada amerikane në Shqipëri ka lëshuar një mesazh mbështetje lidhur me Komisionin anti-korrupsion që pritet të vijojë me punën këtë legjislaturë të Kuvendit. Në mesazhin e lëshuar zyrtarisht në faqen "X", Ambasada Amerikane premton se edhe vetë do të angazhohet me punimet e Komisionit duke vendosur edhe pritshmëritë. Nga Ambasada theksohet se presin që puna e komisionit të jetë transparente dhe në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
"Si një partner i palëkundur i përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komitetin ad hoc për qeverisjen e mirë, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Pritjet tona janë që puna e komisionit të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente, të përputhet me kushtetutën, të mbrojë pavarësinë e institucioneve dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë,"-shkruhet në postimin e Ambasadës.
Në maj të këtij viti, Kuvendi miratoi një rezolutë, e cila synonte krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm anti-korrupsion, me qëllim goditjen e korrupsionit dhe reformimin e administratës. Në krye të Komisionit u vendos ish-drejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, por edhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, teksa kryeministri Edi Rama e prezantoi si një nismë e cila nevojitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në përbërjen e tij, Komisioni ka 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Anëtarët e këtij komisioni janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.
I. Përbërja e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030
1. Fatmir Xhafaj kryetar (PS)
2. Klotida Bushka anëtare (PS)
3. Eduard Shalsi anëtar (PS)
4. Etilda Gjonaj anëtare (PS)
5. Evis Kushi anëtare (PS)
6. Toni Gogu anëtar (PS)
7. Jorida Tabaku anëtare (PD)
8. Dhurata Tyli anëtare (PD)
9. Sorina Kote anëtare (PD)
10. Flutura Açka anëtare (PD)
11. anëtar (PD)
ZËVENDËSUES
1. Milva Ekonomi anëtare zëvendësues (PS)
2. Erion Braçe anëtar zëvendësues (PS)
3. anëtar zëvendësues (PD)
4. anëtar zëvendësues (PD)
Komisioni u shoqërua me një sërë kritikash në media ku zëra të ndryshëm pretenduan se po tentohej ndërhyrja në punën e institucioneve të reja të drejtësisë. Por megjithatë puna ka nisur dhe pritet të intensifikohet me punimet e shtatorit. Opozita ka shprehur skepticizëm të hapur ndaj kësaj nisme, ndaj edhe bojkotoi votimin e saj në parlament. Deri më tani kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka "prerë" çdo shpresë që opozita të jetë pjesë e punimeve. Por mbetet për t'u parë nëse do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim tani që janë përfshirë edhe ndërkombëtarët./ZËRI