
TIRANË- Mblidhet sërish sot Komisioni Hetimor Parlamentar për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi i TIMS. Edhe mbledhja e sotme është zhvilluar me debate mes socialistëve dhe kryetarit të Komisionit, Ervin Salianji. E gjitha ka nisur pasi Salianji, e cilësoi si sukses të Komisionit prangosjen e drejtorit të IT-së së Policisë së Shtetit, Ervin Muça. Kjo solli reagimin e Toni Gogut, i cili i kujtoi procesin gjyqësor që Salianji ka ende të hapur. Pas tyre, një denoncim të fortë bëri deputeti demokrat, Asllan Dogjani, i cili u shpreh se Muça është tradhëtar dhe se nuk e përjashton mundësinë që të jetë agjent i shërbimeve të huaja, më konkresisht Rusisë.
DEBATI MES TYRE:
Salianji: Një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura është ajo e ndërhyrjes në sistemin TIMS nga Ervin Muça.
Toni Gogu: Nuk do të doja ta nisim këtë mbledhje duke iu tërhequr vëmendjen, por në detyrat që më kanë ngarkuar Kuvendi më duhet t'ju kujtoj urdhërin dhe vendimin e kuvendit të miratuar nga të gjithë deputetët. Rezultatet janë një hetim ligjor mbi veprimtarinë e institucioneve që mbrojnë sistemin TIMS, nuk janë ndëshkime pa gjyq. Ju më shumë se kushdo nuk duhet ta kishit bërë këtë gabim. Ta tërheq vëmendjen, nuk bëjmë drejtësi duke shkelur punën e Kuvendit. Zotëria që iu i referoheni sot ka statusin dhe prezumohet i pafajshëm. Hetojmë dhe e bëjmë këtë punë me ndihmën e disa ekspertëve që na kanë nderuar. E kuptoj që jeni shumë të trembur nga ligji. Ndiqni strategjinë e atij që është më i tremburi. Ky rol është të marrësh atë të gjyqtarit. Sot doni të bëheni gjyqtari i Ervin Muçës dhe ta shpallni fajtor. Nuk ndjeheni rehat në rolin e atij që heton dhe të bëheni gjyqtar për të ndëshkuar kundërshtarët politikë. E gjitha kjo sepse jeni humbës serial. Kthehuni në shinat e vendimit që na ka ngarkuar këto detyra.
Salianji: Ju vidhni ne trembemi, ju mbroni të kriminalizuarit ne trembeni. Nuk kam për detyrë të korrigjoj gabimet e kolegëve tuaj. Kam pranuar si shenjë e vullnetit të mirë që të japë llogari dhe zoti Berisha, ashtu si do japë edhe Rama. S’kemi kërkuar që të vij Berisha t’i bëjmë gjyq, por kam pranuar që të vijë dhe të japë llogari, sikundër kemi kërkuar dhe ne që të vijë Rama. Pse trembeni ju për të ardhur dhe për të dhënë llogari Berisha. Ku ka lidhje kjo që po thoni? Kështu që të shkuara dhe qofshi mirë.
Dogjani: Këtu nuk dua që të mbroj kryetarin e Komisionit por do i referohem ligjit. Sot kemi thirrur ekspertët dhe kemi detyrimin që t'i njohim për çfarë i kemi mbledhur. Duhet ta dinë ekspertët pse i kemi thirrur se nuk hedhin fall. Ne kemi ngritur një komision për të hetuar një skandal. Akuzohet për ndërhyrje në sistemin TIMS. Ka të dhëna se ka kryer edhe shkelje të tjera. Kam dhe një informacion tjetër për këtë Muçën, që në kohën që ka qenë te AKSHI, një punonjës i tij e ka kallëzuar sepse ka përdorur të dhënat e tij për të transferuar 1 milionë euro te një kompani. Pasi është zbuluar, është marrë në pyetje punonjësi, dhe ka thënë se nuk di gjë. Më pas ai ka bërë kallëzim, dhe është larguar nga puna. Është dënuar në Itali për trafik droge dhe ushtrim prostitucioni. Na del që ky ka bashkëpunuar në Itali me një kriminel për këto vepra penale. Vazhdon të jetë i dyshuar se është në sistemin TIMS. Mund të jetë një agjent i huaj dhe mund të përdorë të dhënat kundër Shqipërisë. Zoti Berisha hodhi dyshimet se mund të jetë agjent rus. Ai zotëri ka kryer tradhëti kombëtare vëlla. Të mos bëjmë politikë por të nisim direkt nga puna.
Qefalia: Ne e paskemi të zgjidhur, ky komision ka për rol të merret me sistemin TIMS. Të mos merremi me një individ që është duke u përgjigjur nga sistemi TIMS. S’mund të them çfarë ka thënë ai tek ballkoni që mund të jetë agjent rus, të merret drejtësia, jo Komisioni Hetimor me të, merret me institucioni me kërkesën që paraqitet juve. Shpresoj që gjendja të kaloj në kushte normale.
Baçi: E kuptojmë se partia iu ka tërhequr veshin dhe i ka thënë pse rrini kaq urtë? Prisheni mbledhjen. Gjeneral merr fjalën dhe mos më ndërpre mua. Komisioni hetimor duket...akoma...ore ndalon dot apo jo? Ushtarë ke përpara? Se je mësuar më ushtarë. Nuk dua të thuash timen, por thuaj tëndën kur të të vijë fjala. Ore paske qenë i paparë. Ik ore shiko punën aty.
Pas fjalës së tij janë kthyer sërish përplasjes mes Salianjit dhe Gogut, derisa në një moment ky i fundit kërkoi pushim, ndërsa demokrati kërcënoi se nëse do të dilnin nga salla, do t'i kallëzonte penalisht për pengim të punës së Komisionit.
"Kërkesa për informacion kanë sjellë. Nëse e mbyllni mbani përgjegjësi penale. Nëse e trajtoni këtë sallë si të ishte pronë e juaja, do të bëj kallëzim,"-tha Salianji.
Pavarësisht përplasjes, socialistët qëndruan në sallë, dukë u përballur edhe me ekspërtët që për herë të parë ishin paraqitur në sallë.
"Të njohim ekspertët me objektin e këtij komisioni dhe t'i ngarkojmë me detyrat për mbledhjen e informacionit. Të nderuar zoti Myftari dhe Bici kam katër pyetje për ju, jua bëj juve sepse kryetari lexoi në mënyrë mekanike. Si e keni siguruar informacionin paraprak…,"-tha Gogu, për shkak se ekspertët e zgjedhur nga Partia Demokratike kishin nisur që të dërgonin kërkesat e informacionit për institucionet që do të përfshihen në hetim. Ndërsa ata të Partisë Socialiste, ende jo. Për këtë, të dy u morën në pyetje nga Salianji, e si justifikim nxorrën faktin se ende nuk ishin njohur me objektin hetimor.
PJESË NGA MARRJA NË PYETJE:

Vjosa Bodo: Më keni njoftuar si ekspertë, nuk jam njohur zyrtarisht me vendimin e Komisionit përveç njoftimit publik që është bërë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kërkoj që të njihem me objektin e hetimit që të ndihmoj.
Salianji: Si hyrët në sallë?
Vjosa Bodo: U identifikova në kuadër të rregullave që ka hyrja në sallë. Në recepsion.
Dritan Jahaj: Nuk jam njohur me vendimin e këtij komisioni, si mund të më thoni bëj detyrën? E kam marrë vesh lajmin në portale.
Salianji: Si jeni njohur se mbledhja ishte sot?
Dritan Jahaj: Nga portali që kam marrë edhe dijeni për caktimin tim, ishte dhe data e komisionit.
Edhe pse i mori në pyetje, kryetari Ervin Salianji në disa raste ngriti dyshime mbi integritetin profesional të ekspertëve të propozuar nga mazhoranca, duke i cilësuar si patronazhistë, apo avokatë të personave që janë të përfshirë në çështje të caktuara. Por nuk dha asnjë emër konkret. Mirëpo debati nuk përfundoi me kaq. Palët u përplasën sërish për mbledhjen e radhës. Teksa Salianji propozoi që të mblidheshin sërish të hënën, përmendi orën 17:00. Por mes palëve nuk është gjetur në dakordësi për orën, pasi deputeti Nasip Naço bëri me dije se ishte i angazhuar në Komisionin e Sigurisë dhe në një mbledhje të Kryesisë së Kryetarëve të Kuvendit gjatë pasdites.
Salianji: Meqë kemi disa propozime dhe nuk kemi dakordësi, ju doni të bllokoni komisionin. Mos ta bëjmë si gallatë. Duam dakordësi. Ju thoni eprorëve; që thamë një fjalë aty, ja çfarë bëmë. Ditën e hënë lëmë një mbledhje tjetër për shkak të ndërhyrjes në TIMS. E lëmë në ditën e hënë, në çfarëdolloj ore që të doni, po jua lë juve në dorë. Sot propozimet e ekspertëve janë këto që janë. Ditën e hënë i lëmë kohën ekspertëve që të vinë në atë orë që doni ju, që t’i lëmë kohë atyre që të marrim kohë.
DEBATI MES TYRE:
Ervin Salianji: Miratohet propozimi i Ramadan Likajt. Kërkesat janë të miratuara. Propozimi i Likajt ishte, kalojmë kërkesat e dy ekspertëve të propozuar dhe ditën e hënë kalojmë kërkesat për informacion të dy ekspertëve të tjerë. Kaq ishte. Nuk doni ju. Pika tre e rendit të ditës. Të hënën të hënën caktojmë orën kur të doni ju. E lëmë të hënën ditën dhe orën. Po u them se sot propozimet e ekspertëve janë këto që janë të hënën u lëmë kohë dy ekspertëve të tjerë të hënën. U lëmë kohë dy ekspertëve të tjerë...
Toni Gogu: E di sa herë marr unë fjalën trembesh...
Ervin Salianji: Trembem unë? O Lindita (Metaliajt) hajde të fshihem pak.
Toni Gogu: Propozimi i të gjithë grupit tonë është shumë i thjeshtë. Na jepni kohë të njihemi me kërkesën për informacion të dy ekspertëve dhe në mbledhjen e ardhshme votojmë për propozimet e bëra nga ekspertët tuaj dhe paraqesin dhe ekspertët tanë kërkesat për informacion. Na jepni kohë të njihemi me kërkesat për informacion. Kryetari tjetërson propozimet tuaja.
Kështu, plani i opozitës për të vijuar me kërkesat e ekspertëve për informacion dështoi, ndërsa ata të maxhorancës do të kenë kohë deri të hënën që të njihen me objektin e veprimtarisë së komisionit dhe të mbledhin informacionin për çështjen. Mes debateve, pas më shumë se 4 orësh në fund u miratuan kërkesat për informacion drejtuar institucioneve, nga Kryeministria, tek Ministria e Brendshme, SHISH, SPAK, etj. Takimi i radhës është lënë të hënën pasdite, por nuk dihet nëse do të zhvillohet./ZËRI