Politikë

Komisioni i Shëndetësisë, deputetët e PS ftesë opozitës për vizitat në institucionet zbatuese

Shkresa për marrjen e masave i drejtohet sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj dhe kryetares së Komisionit Hetimor, Albana Vokshi.

f.t
Komisioni i Shëndetësisë, deputetët e PS ftesë
foto ilustruese

TIRANË-Anëtarët e mazhorancës në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe "Check up" në Shëndetësi, nëpërmjet një shkrese zyrtare ftojnë përfaqësuesit e opozitës në këtë komision të zhvillojnë së bashku vizitat në institucionet zbatuese të kontratave objekt i hetimit parlamentar.

Shkresa për marrjen e masave i drejtohet sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj dhe kryetares së Komisionit Hetimor, Albana Vokshi. Bashkëlidhur shkresës është edhe programi i vizitave me lokacionet dhe datat përkatëse. 

“Duke ripërsëritur edhe një herë tjetër vullnetin e mazhorancës në Komisionin Hetimor parlamentar, për të zbatuar vendimin e Kuvendit të datës 21.03.2024, në zbatim të Planit të Hetimit të miratuar në mbledhjen e datës 25.04.2024 dhe kalendarit bashkëlidhur tij, ne anëtarët e komisionit kemi planifikuar vizita në institucionet shtetërore përfituese të dy kontratave objekt i hetimit parlamentar, si dhe intervistimin e mundshëm të drejtuesve përkatës, sipas programit bashkëlidhur”, thuhet mes të tjerash në shkresën e anëtarëve të mazhorancës.

Deputetët theksojnë se “nëpërmjet këtij njoftimi jo vetëm kemi si qëllim informimin e kolegëve në komision dhe ftesën ndaj tyre për t’ju bashkuar vizitave dhe intervistave në institucionet përkatëse, por edhe informimin e strukturave administrative të Kuvendit të marrin masat logjistike, administrative dhe financiare, për lëvizjen e deputetëve si dhe për evidentimin dhe dokumentimin e këtyre vizitave dhe intervistave në këto institucione”. 

Vizitat do të zhvillohen në Tiranë dhe vende të tjera në institucionet që po zbatojnë kontratat koncensionare të sterilizimit dhe kontrollit bazë mjekësor. /ZËRI

Poll

MOS HUMB