Politikë

Komisioni për Dezinformimin/ Braçe 'ultimatum' PD-së: Keni një javë kohë për të vendosur nëse do merrni pjesë

Sipas Braçes, PD, tashmë edhe zyrtarisht e drejtuar nga Sali Berisha duhet të vendosë për pjesëmarrjen e saj në komision, pasi siç shprehet ai, puna e komisionit do të vijojë, me apo pa ta.

E.K
Komisioni për Dezinformimin/ Braçe 'ultimatum' PD-së:
Erion Braçe

TIRANË- Kryetari i Komisionit të “Dezinformimit”, Erion Braçe i ka lënë këtë të martë dhe një javë kohë opozitës për tu menduar për pjesëmarrjen e saj në komison. Sipas Braçes, PD, tashmë edhe zyrtarisht e drejtuar nga Sali Berisha duhet të vendosë për pjesëmarrjen e saj në komision, pasi siç shprehet ai, puna e komisionit do të vijojë, me apo pa ta. Në një prononcim për Report Tv, Braçe shprehet se ai nuk do ta humbasë durimin, por shton se puna e komisionit duhet të nisë sa më shpejt.

Ndërsa i pyetur nëse është ulur me përfaqësues të opozitës, për të diskutuar pjesëmarrjen ose jo në tryezën e punës, Braçe lë të kuptohet, se i vetmi që mund të marrë vendime është Sali Berisha. Por shton se ky i fundit ndodhet në masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie” dhe e ka të ndaluar të flasë me njeri.

Erion Braçe: Presim të plotësohet komisioni me anëtarë të PD që ka për kryetar Sali Berishën. Nuk e humb durimin. Do t’i pres dhe këtë javë që e kanë të lirë për të menduar. Me vendim gjykate zoti Berisha e ka të ndaluar të flasë me ndokënd, përfshi edhe mua.

Opozita nuk e votoi ngritjen e Komisionit të dezinformimit dhe as përbërjen e tij, në seancën e 6 Qershorit, pasi pretendon se ky komision do të cënojë lirinë e medias në vend. Ndërkohë nga “rreshti i opozitës”, kanë dalë vetëm dy deputetë nga partitë aleate të PD në zgjedhjet e 25 Prillit, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por tre vendet që i takojnë deputetëve të Partisë Demokratike janë ende bosh. Ndërkohë nga ana e saj, mazhoranca shprehet se Komisioni i Dezinformimit do të luftojë informacionin e rremë dhe ndikimet e shteteve të huaja jo miqësore, duke përdorur median, teknologjinë dhe paratë e errëta në fushata zgjedhore. Të gjitha institucionet përfshirë edhe ato të pavarura, si organet e drejtësisë, do të jenë të detyruara të japin çdo informacion apo dokument të kërkuar nga komisioni i posaçëm kundër keqinformimit. Përveç 13 anëtarëve, në përbërje të Komisionit do të jetë edhe një grup ekspertësh nga institucionet kryesore të sigurisë dhe medias./ZËRI

Poll

MOS HUMB