
TIRANË- Puna e Komisionit Hetimor për Sterilizimin është pritur me "pesimizëm" nga socialistët. Në mbledhjen e parë, që u zhvillua sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, deputetja Edona Bilali u shpreh se shqetësuar për faktin se nuk po përfillej kërkesa e nënkryetarit të Komisionit, Plarent Ndreca, i cili kërkoi më shumë kohë për gjetjen e ekspertëve. Kërkesë për të cilën, kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ra dakord.
Diskutimi mes tyre:
Edona Bilali: S’e kuptoj ça do bëjmë katër muaj. Meqënëse nënkryetari nuk e kishte mikrofononin e hapur kur përmendi nenin 10. Pika 1 e nenit 10 thotë se kryetari dhe në nënkryetari drejtojnë komisionin. Rregullorja e Kuvendit…
Albana Vokshi: U zgjidh kjo. Kam përshtypjen se nenkryetari e sqaroi vetë. Nuk kishin pse të ktheheshim.
Plarent Ndreca: Do na duhen 3-4 ditë që të gjejmë 2 ekspertët
Albana Vokshi: Dakort.
Por edhe Petro Koçi shprehu rezervat e tij, duke kërkuar që ky Komision të jetë ndryshe nga ata që janë zhvilluar deri më tani dhe të karakterizohet vetëm më përplasje mes dy palëve. Për të mbajtur nivel të lartë komunikimi, Koçi tha se do të ishte detyrë e Vokshit që të ruante etikën, fillimisht të sajën dhe më pas të gjithë kolegëve të tjerë.
“Gjykoj që kërkesa që ka bërë opozita është dinjitoze. Janë çështje të rëndësishme që kanë krijuar sensibilitet në opinionin publik. Është një nga komisionet hetimore me arsye të qëndrueshme. Fillimi i punimeve të këtij komisioni, nuk është i mbarë. Pak a shumë është përsëritje e një historie. Komisionet janë njollë e zezë e parlamentit dhe këtu janë thirrur skifterët e palëve. Këtu duhet të gjykohet urtësia e gjykimit. Ndaj roli i moderatorit është i rëndësishëm. Mendoj që në rastin që Kuvendi ju ka zgjedhur juve si kryetare, keni përsipër një përgjegjësi të madhe. Nuk do të ishte e udhës që përfundimi i këtij komisioni të jetë e njëjta histori. Pra raporte dy palëshe dhe kacafytje në gjithë procesin dhe procedurat e këtij komisioni. Etika dhe rregullsia në këtë komision, varet nga ai që drejton. Do ju ftoja që të ishit në përputhje me mandatin e këtij komisioni. Duhet të kërkojmë të vërtetën për çështje të rëndësishme. Paracaktimi sjell zhvillime të mbrapshta,”- shtoi ai./ZËRI