Politikë

Koncensionet në shëndetësi, dështon mbledhja e Komisionit Hetimor, PS nuk shfaqet sërish

Albana Vokshi e mbylli mbledhjen duke paralajmëruar një konferencë për gazetarët, pasi siç tha ajo në sallën ku mblidhet Komisioni nuk lejohen të mbajnë të deklaratë për mediat

E.K
Koncensionet në shëndetësi, dështon mbledhja e Komisionit
Albana Vokshi

TIRANË- Ka dështuar edhe sot mbledhja e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, për shkak se Partia Socialiste, edhe sot, ka vendosur që të bojkotojë punimet. Kjo ka bërë që kryetarja e komisionit hetimor, Albana Vokshi të deklarojë mbylljen e mbledhjes, pasi nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e saj. Vokshi tha se kishin pritur rreth 30 minuta në sallë kolegët socialistë, të cilët nuk janë paraqitur në mbledhje.

“Pritëm kolegët që të vinin, rreth 30 minuta. Janë në kryesinë e Kuvendit, por nuk kanë ardhur. Koncesionet në Shëndetësi kanë kushtuar 200 mln euro dëm shtetit. Është mbledhja e 6 qe bojkotohet nga deputetët e PS-së, pa asnjë arsye legjitime. Duke mos pasur kuorumin e nevojshëm, nuk mund të mblidhet mbledhja”, tha ajo.

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë u ngrit me 95 vota pro si pjesë e marrëveshjes së arritur mes Bledi Çuçit dhe Gazment Bardhit. Komisioni Hetimor për shëndetësinë përbëhet nga 15 anëtarë, 7 nga opozita dhe 8 nga maxhoranca, që përbri kryetares opozitare Albana Vokshit, i kanë besuar nënkryetarin ligjvënësit më të ri socialist Plarent Ndrecës.Bashkë me Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi është ngritur edhe ai për sistemin tims që do të drejtohet nga Ervin Salianji. Këto dy komisione u ngritën në këmbim të kthimit të punimeve normale të parlamentit, që Rithemelimi e mbante në kaos prej tetorit.

Takimi i parë për këtë Komision u mbajt më 25 mars, ndërsa deri në qershor deputetët do të hetojnë të gjitha procedurat në lidhje me Koncensionin e Sterilizimit dhe Check-up. Por gjatë mbledhjeve ka pasur edhe debate. Ina Zhupa ka kërkuar përjashtimin nga Komisioni të Plarent Ndrecës, duke qenë se ai ka qenë avokat i njërit nga të hetuarit e SPAK (Arben Gjatës) për koncensionet në Shëndetësi. Por deri më tani nuk ka asnjë vendim për përjashtimin e Ndrecës që po ashtu ka postin e nënkryetarit të Komisionit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB