
TIRANË- "Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës", kjo ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në përgjigje të homologut shqiptar Edi Rama. Ky i fiundit në një intervistë për "Financial Time" u shpreh se Veriu është "Tokë e askujt" dhe se NATO duhet të marrë kontrollin atje.
Gjatë një prononcimi për mediat pas Samitit të Procesit të Berlinit, të mbajtur për herë të parë në Tiranë, kreu i qeverisë së Kosovës tha se i ka kërkuar kryeministres serbe Ana Brnabiç të nënshkruajë një marrëveshje bazike dhe atë të Ohrit por sipas tij kjo nuk është marrë parasysh.
Po ashtu gjatë fjalës së Kurtit nuk munguan as "thumbat" për Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kinë.
Albin Kurti: Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës. I kërkova Brnabiç të nënshkruajmë marrëveshjen bazike dhe të Ohrit, por presidenti është i zënën në Kinë në takimet me superfuqitë në zonë lindore dhe veri lindore, le të nënshkruajmë marrëveshjen bazike dhe aneksin. Scholzit i jam shumë mirënjohës.
Çfarë tha Rama
Edi Rama: Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve veriu është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur.
Ndërkohë Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen u shpreh se sa i përket sulmit të 24 shtatorit duhet të ketë një hetime të plota dhe BE po pret përfundimin e tyre.
Ussula Von der Leyen: Duhet të ketë një hetim të plotë që më pas ne të kemi një qëndrim. Ne po presim të dhënat e hetimit dhe të do të vendosim më pas.
Nga ana tjetër Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte më i prerë në qëndrimin e tij sa i përket 24 shtatorit duke deklaruar se Gjermania a e dënon sulmin në Banjskë dhe se hetimet për zbardhjen e ngjarjes duhet të kryehen nga autoritetet e Kosovës. Nga pala serbe kërkoi bashkëpunim.
Sipas tij ka ardhur koha që problemet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen një herë e mirë.
Olaf Scholz: Ta dënojmë sulmin ndaj policisë në veri të Kosovës. Kjo është diçka që ne nuk do ta pranojmë në asnjë mënyrë. Gjermania është shumë e qartë në lidhje me këtë qëndrim. Por duhet të ketë një hetim të plotë që duhet të bëhet nga autoritete e Kosovës dhe është e rëndësishme që autoritete serbe të bashkëpunojnë në këtë drejtim. E kuptojmë shumë mirë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe e dimë shumë mirë që do të ruhet duke parë drejt së ardhmes dhe jo së kaluarës. Duhet të zgjidhen të gjitha problemet para se të jemi pjesë e BE-së. S’mund të integroheni në BE duke marrë me vete problemet që keni këtu. Vlerësojmë reformat që janë marrë dhe aspekte të tjera, por kjo është përgjigja ime në lidhje me situatën në Kosovë me Serbinë. Në lidhje me integrimin për ne janë të rëndësishme marrëveshjet e sotme që u nënshkruan mes vendeve. Duhet të zgjidhim një herë e mirë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.
Çfarë ndodhi në Veri të Kosvës më 24 shtator
Sulmi terrorist i 24 shtatorit do të rikthente dhe njëherë në start marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë. Një grup prej 30 personash të armatosur deri në "dhëmbë", mes tyre dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç (Mik i presidentit serb Aleksandër Vuçiç) hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosur dy kolegët e tij. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës morën situatën në kontroll, duke vrarë tre pjesëmarrës në sulm e duke arrestuar 6 të tjerë, të cilët ishin strehuar në Manastirn e Banjskës. Kjo ngjarja do të shtonte tensionet mes dy vendeve dhe do e kthente Veriun sërish në një "pikë të nxehtë" e duke ndarë kështu dhe ndërkombëtarët në qëndrime. Kosova ka kërkuar vazhdimisht sansksionim e Serbisë nga SHBA dhe BE ndërsa Beogradi zyrtar mohon të ketë lidhje me sulmin. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë deklaruar gjithmonë se presin të përfundojnë hetimet për të folur për hapat që vijnë më pas./Zëri.ai