
TIRANË-Fitimi i së drejtës së emigranteve për të votuar pa qenë prezent ne Shqipëri përballet me disa sfida të cilat janë sa teknike po aq dhe financiare. Nëse jeton jashtë vendit, hapi i parë për te marrë pjesë në zgjedhjet e pranverës është të regjistrohesh në platformën elektronike që po ndërtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ajo çfarë dimë pak a shumë me siguri është kosto e platformës elektronike të regjistrimit të votuesve që shkon rreth 3 milion euro përafërsisht. Por, akoma nuk kemi bërë një vlerësim përfundimtar”, u shpreh Celibashi.
Kjo nuk është kosto e vetme e këtyre zgjedhjeve. Votimi nga jashtë do realizohet me postë, ku shpenzimet do të ndahen mes Komisionit Qendror te Zgjedhjeve i cili dërgon fletën e votimit dhe emigrantit që duhet ta ktheje tek i njëjti institucion. Por, plotësimi i dëshirës së demokratëve për postë ndërkombëtarë do bëjë që fatura e zgjedhjeve të pranverës të fryhet edhe më shumë.
“Nëse do përdoret shërbim postar i huaj, llogaritja mesatare shkon 30 apo 40 euro. Nëse do te votonin 1.1 milion sikurse mendohet që është numri i votuesve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë këtë shumë do ta shumëzojë me 20 apo 30-40 euro. Ka goxha kosto”,-vijoi Celibashi.
Aspekti teknik i votimit nga jashtë lidhet edhe me fshehtësinë e tij. Emigrantët nuk do kenë mandate të rezervuara, por vota e tyre do llogaritet në qarkun ku ata kanë pasur vendbanimin fundit në Shqipëri. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor hyjnë në fuqi në mes të muajt gusht, nga ku më pas duhet të bëhet miratimi i akteve për mundësimin e votimit të emigrantëve./ZËRI