Politikë

KQZ certifikoi 11 majin, PD depoziton padi në Kolegj: Vendimi nuk mund të pranohet...proces i manipuluar

Në padinë, PD ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke pretenduar se procesi është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi.

zh.ll
KQZ certifikoi 11 majin, PD depoziton padi në Kolegj: Vendimi nuk mund
selia blu-Partia Demorkatike (PD)

TIRANË- Partia Demorkatike (PD) ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor padinë që kishte paralajmëruar se do të dorëzonte kundër vendimit të Komisionit Rregullator që certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit. Në padinë, PD ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke pretenduar se procesi është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi. Sipas PD-së, këto shkelje janë të dokumentuara dhe konfirmuara nga raportet e organizatave monitoruese ndërkombëtare si OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit. Në fund të padisë, Partia Demokratike thekson se rezultati i shpallur i vlefshëm nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, nuk do të pranohet nga opozita.

“Duke qenë se këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave monitoruese ndërkombëtare si OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit, është i qartë fakti që rezultati i shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 11 maj 2025 është i pavlefshëm dhe nuk mund të pranohet si i tillë. Për më tepër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i drejtuar nga Ilirjan Celibashi, nuk mori asnjë masë për të parandaluar apo adresuar këto problematika.

Vetëm një vendim i drejtë dhe i guximshëm i Kolegjit Zgjedhor do të shërbente si garanci për mbrojtjen e parimeve demokratike, respektimin e vullnetit qytetar dhe vendosjen e një precedenti të nevojshëm për të ardhmen e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Ndaj, për të gjitha këto arsye, dhe duke marrë në konsideratë se provat dhe argumentet e paraqitura janë të plota dhe të pakundërshtueshme, kërkojmë që: Në seancën e gjykimit përpara Kolegjit, të kërkohet përfundimisht nga Kolegji Zgjedhor pranimi i plotë i kësaj padie sipas objektit të saj, duke vendosur: Ndryshimin e Vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të Komisionit Rregullator pranë KOZ, duke vendosur rrëzimin e propozimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025”, thuhet ndër të tjera në padinë e PD.

Kolegji Zgjedhor është instanca më e lartë që mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin. Më 28 gusht, Komisioni Rregullator (KRR) shpalli rezultatin përfundimtar, duke certifikuar zgjedhjet e 11 majit. Kështu Partisë Socialiste i certifikohet rezultati i 83 mandateve, Partia Demokratike me 50 mandate, Partia Social Demokrate me 3 mandate, Partia Mundësia me 2 mandate dhe Nisma Shqipëria Bëhet, 1 mandat. Miratimi i rezultatit nga Komisioni Rregullator do të pasohet më pas me mbledhjen e parë të Kuvendit. Data përfundimtare për mbledhjen e Kuvendit do të përcaktohet nga Presidenti i Republikës, i cili ka afat deri më 20 shtator për të nxjerrë dekretin./ZËRI

Poll

MOS HUMB