
SHBA- Kryeministri Edi Rama ka komentuar këtë të enjte deklaratën e bërë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti sa i përket emisarit të Bashkimit Europian për dialogun me Serbinë Miroslav Lajçak se po favorizon Serbinë. Sipas Ramës këto janë deklarata që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë. Në "Real Story" Rama komentoi dhe marrëdhëniet me Prishtinën zyrtare.
Edi Rama: Janë gjëra që të lënë pa tekst dhe janë gjëra që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë, sepse të ngresh një teori konspiracioni për një bashkëpunim që e zbulove mes Serbisë dhe të dërguarit special të gjithë BE nuk është diçka e këshillueshme për t’u bërë. Po e përsëris, unë nuk dyshoj në dëshirën e madhe dhe të mirë të Albinit për të bërë më të mirën për Kosovën, por dëshira e madhe dhe vullneti i mirë nuk mjaftojnë asnjëherë. Duhet qartësia strategjike, për të arritur qëllimin, gjë që nuk e shoh.Nuk duam të ndikojmë në Prishtinë, pasi në Prishtinë janë autoritetet që burojnë nga vullneti i popullit të Kosovës dhe janë ata që kanë përgjegjësinë për ta udhëhequr Kosovën dhe për të zgjedhur rrugën për të arritur te një qëllim, që e kemi të përbashkët. Ne duam të njëjtën gjë, çështja është që ne mendojmë që rruga që ata kanë zgjedhur është rruga që nuk çon te arritja e atij qëllimi të përbashkët, po përkundrazi çon në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara, me BE, pra me miqtë, me aleatët me partnerët në vend se të çojë të realizimi i këtij qëllimi të përbashkët, kjo është e trishtueshme, por unë kam besim sidoqoftë që kjo është e përkohshme.
Disa ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun me Serbinë Miroslav Lajçak se po favorizon Serbinë në dialog. Sipas Kurtit ai u gjend përballë një fakti të krye në Bruksel pas Lajçak kishte ardhur me një ‘’draft të gatshëm’’ që sipas tij favorizon presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Vetë BE nuk ka preferuar ti komentojë deklaratat./Zëri