Politikë

Kushner vila në Sazan e Zvërnec, Luçiano Boçi: PD "pro" investimeve amerikane

I vetmi reagim u dha dje nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, po ashtu i pyetur nga ZËRI.

k.m.
Kushner vila në Sazan e Zvërnec, Luçiano Boçi: PD
Luçiano Boçi

TIRANË- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka komentuar projektin e Sazanit, i cili është marrë përsipër nga dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner. ZËRI kontaktoi me Boçin duke i kërkuar një koment lidhur me projektin, për të cilin nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e selisë blu. I vetmi reagim u dha dje nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, po ashtu i pyetur nga ZËRI.

Në reagimin e tij të parë për këtë çështje, edhe Boçi u shpreh se ky investim nuk ka asnjë ngjashmëri me invesimet e tjera, duke marrë edhe shembullin e portit të Durrësit, të cilit ZËRI iu referua në shkrimin e djeshëm.

"Asgjë këtu nuk ka analogji me Portin e Durrësit, sipërfaqa e të cilit është dhënë badjava, me pasoja e fatura shumëfish financiare."

Por në thelb, edhe demokrati e pranoi se PD është "pro" investimeve te huaja dhe amerikane në Shqipëri, gjë që sipas tij, e kanë dëshmuar edhe në kohën kur kanë vetë në qeverisje.

"Partia Demokratike është pro investimeve te huaja dhe amerikane. Partia Demokratike, duke mbështetur projekte që janë në përputhje me ligjin, mjedisin, zhvillimin e turizmit dhe kornizën ligjore të vendit, kërkon nga qeveria transparencë për publikun, për çdo investim në vend, për çdo nismë,"-shkruhet ndër të tjera në reagimin e Boçit.

REAGIMI I PLOTË PËR ZËRI:

Çdo gjë është në fazën e shfaqes së interesit në sferën e biznesit dhe debati publik duket i hershëm me tendencën për ta tërhequr opozitën në lojën e marrëdhënieve politike. Aq më tepër që momenti elektoral e nxit akoma më shumë. Asgjë këtu nuk ka analogji me Portin e Durrësit, sipërfaqa e të cilit është dhënë badjava, me pasoja e fatura shumëfish financiare. Qëndrimi ynë për zonat e mbrojtura ka qenë i qartë dhe i argumentuar. Zonat e mbrojtura janë një pasuri që duhet të ruhen dhe menaxhimi i tyre të jetë sipas direktivave e standarteve të BE. Partia Demokratike është pro investimeve te huaja dhe amerikane në Shqipëri, siç e ka dëshmuar gjatë qeverisjes së saj. Ne jemi parti e tregut te hapur dhe konkurences se lirë. Partia Demokratike, duke mbështetur projekte që janë në përputhje me ligjin, mjedisin, zhvillimin e turizmit dhe kornizën ligjore të vendit, kërkon nga qeveria transparencë për publikun, për çdo investim në vend, per cdo nisme.

Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump do të investojë në Ishullin e Sazanit, duke ndërtuar vila dhe resorte lusoze. Kushner ka shprehur interesin përmes kompanisë së tij ‘Affinity Partners’. Firma e kapitalit privat me bazë në Majami planifikon të transformojë ishullin e Sazanit të Shqipërisë në Mesdhe, që më parë ishte shtëpia e një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman, në pronësi të rusit miliarder Vladislav Doronin. Interesi i Kushner është shtrirë gjithashtu deri në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila. Investimi i cili pritet të kalojë vlerën e 1 miliard dollarëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB