
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi ligjin që i detyron studentët e Mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri. Në fjalën e tij, gjatë mbledhjes së Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Tiranë, Rama tha se studentët e mjekësisë i kryejnë studimet me paratë e taksapaguesve, ndaj edhe duhet të kthejnë kontributin. Ndaj edhe shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese këtë është absurd.
“Si ka mundësi që studentët e Mjekësisë nuk e kuptojnë sesa e thjeshtë dhe sesa e padiskutueshme është se merr falë kontributit të taksapaguesve një arsim që ty të kushton shumë herë më pak se sesa kushton shtetit dhe vë në diskutim disa vite që t’i duhet t’i shërbesh këtyre njerëzve që paguan taksat për ty, prindërve dhe gjyshërve të tyre, dhe jo të marrësh diplomën dhe të shkosh me vrap në Gjermani. Kjo është e paimagjinueshme. Dhe pse? Për një arsye shumë të thjeshtë. Pavarësisht se Universiteti ynë i Mjekësisë nuk është i rankuar në nivelin e Universiteteve gjermane, praktika ka treguar se është një universitet që nxjerr profesionist të besueshëm dhe i pranojnë.
Mirëpo, ai shoku gjerman apo shoqja gjermane ka paguar në mënyrë marramendëse për të hyrë në të njëjtin korridor. Ndërsa ti ke pasur shtetin shqiptar që të ka dhënë mundësinë të bësh studimet dhe të ka hapur derën në Gjermani duke paguar shifra qesharake. Por para se të ikësh në Gjermani, do t’ua kthesh njerëzve që kanë kontribuar për ty duke shërbyer disa vite, pastaj ik ku të duash. Nuk i diskutoj vendimet e gjykatave, por pezullimi që i bëri Gjykata Kushtretuese kërkesës absurde për ta hedhur poshtë këtë gjë është absurd. E diskutoj sepse është thjesht pezullim. Në Shqipëri është shkolla e magjistraturës, ku ti hyn por nuk merr dot diplomën po nuk punove disa vjet. Dhe është shkolla më e mirë dhe fakti është se nuk është shkelur ndonjë e drejtë kushtetuese dhe nuk është vënë në diskutim. Këtë sistem do të zgjerojmë në arsimin publik,”- tha Rama.
Gjithashtu në fjalën e tij, Rama tha se këtë sistem si me studentët e Mjekësisë, do ta zgjerojnë edhe me degë të tjera. Por nuk ka zbuluar më shumë detaje.
“Në arsimin publik që e kemi më të favorshëm dhe që praktika tregon që nuk e kemi aq larg kërkesave të Europës, do e zgjerojmë, ose është variant tjetër që ua kemi dhënë, do të ikësh që të nesërmen sa të marrësh diplomën? Do paguash një tarifë tjetër”, përfundoi Rama.
PJESË NGA FJALA E RAMËS:
Na duhet të investojmë seriozisht në konviktet e shkollave të arsimit profesional për t’i dhënë mundësi fëmijëve dhe të rinjve që janë rreth e rrotull qendrave të bashkive që mund të vijnë e ta ndjekin arsimin profesional. Ashtu sikundër, na duhet të fuqizojmë edhe më shumë atë që kemi nisur me mjekësinë. Pas pak do të shkojmë me ministren në një takim me rektoret për të parë një raport të detajuar për arsimin e lartë dhe mbi sfidat dhe e kanë bërë ekspertë shqiptarë që janë jashtë dhe ndërkombëtar dhe gjëja që diskutuam sot ishte, si ka mundësi që studentët e mjekësisë nuk kuptojnë se sa e thjeshtë dhe se sa e pa diskutueshme është që merr, fal kontributit të të gjithë taksapaguesve një arsim që ty të kushton shumë herë më pak seç i kushton shtetit dhe vë në diskutim që ti për disa vite duhet t’i shërbesh këtyre njerëzve që paguajnë taksat për ty, duhet t’i shërbejnë prindërve të tyre që janë gjyshër e gjyshe, që kanë nevojë për shërbim në spitalin aty dhe jo të marrësh diplomën e të shkosh me vrap në Gjermani. Kjo është e paimagjinueshme. Dhe pse? Për një arsye shumë të thjeshtë sepse pavarësisht se Universiteti ynë i Mjekësisë nuk është i rankuar në nivelin e universiteteve gjermane, praktika ka treguar që është një universitet që nxjerr profesionistë të besueshëm, ata e dinë këtë dhe i pranojnë.
Mirëpo ai shoku gjerman atje, ose shoqja gjermane e këtij shokut tonë këtu apo shoqes tonë që del nga fakulteti, ka paguar në mënyrë marremendëse për të hyrë në të njëjtin korridor. Dhe pse? Për çfar arsye? Për arsyen se ti ke pasur shtetin tënd shqitar që të ka dhënë këtë mundësinë që t’i bësh këto studime dhe të të hapet dera në Gjermani, duke pguar shifra qesharake, të cilat ky shtet është i gatshëm të vazhdojë t’i paguajë, por ama para se të ikësh në Gjermni do t’ia kthesh njerëzve që kanë kontribuuar për ty, që janë ata që ti as nuk i njeh, duke i shërbyer disa vite prindërve të tyre të moshuar në spital apo të afërmve të tyre e pastaj ik ku të duash dhe kudo. Unë nuk i diskutoj vendimet e gjykatave sepse s’merrem me vendimet e gjykatave po edhe pezullimi që i bëri Gjykata Kushtetuese kërkesës absurde për ta hedhur poshtë këtë gjë, është absurd. Është absurd dhe po e diskutoj thjeshtë se është pezullim, sepse në Shqipëri ka një shkollë tjetër që quhet Shkolla e Magjistraturës, që për shumë vite tani, nuk e di sa vite ka, që e ka kusht; ti mund të hysh ne Shkollën e Magjistraturës, por ti nuk merr dot diplomën nga shkolla e magjistraturës po nuk punove më duket 5 vjet, nuk di sa vjet apo diçka më tepër, si magjistrant. Dhe shkolla e Magjistraturës është një nga shkollat më të mira të Shqipërisë dhe shpresoj që të mos prishet tani me këtë fluksin në rritje, por fakti është që, as nuk është shkelur ndonjë e drejtë kushtetuese, as nuk është vënë ndonjeherë në disktim dhe këtë sistem, ne do ta zgjerojmë, që të jemi shumë të qartë.
Në arsimin publik, që e kemi absolutisht shumë, shumë të favorshëm dhe që praktika po tregon gjithmonë e më shumë që nuk e kemi absolutisht aq larg kërkesave të Evropës, përderisa kush shkon në Evropë mirëpritet, do ta zgjeorjmë. Nuk diskutohet. Ose është edhe varianti tjetër që ia kemi dhënë studentëve të mjekësisë: S’ka problem, do të ikësh që të nesërmen? Sa të marrësh diplomën në dorë do t’i kthesh kurrizin këtij vendi dhe do të ikësh të shërosh gjermanët? Do paguash një tarifë tjetër, do paguash atë që kushton. Dhe ik atje pastaj. Më pak se në Gjermani është edhe kjo, shumë më pak, por do paguash. Po e deshe me një tarifë simbolike, do rrish këtu, 5 vjet, 6 vjet, 7 vjet, nuk e di sa, 5 është maksimumi. Dhe më e bukura është që 5 është për ata që hyjnë në vit të parë. Këta që i ka gjetur rrugës, e kanë 2 vjet, 3 vjet, 4.. epo këta as 2 vjet nuk pranojnë të rrijnë. Epo nuk ka. Nuk ka.
Më 15 nëntor, Gjykata Kushtetuese pezulloi deri në shqyrtimin e plotë të çëshjes, zbatimin e ligjit që detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në këmbim të diplomës universitare. Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, pas qëndresës së vazhdueshme që bënë studentët e Mjekësisë. Gjykata u ka dhënë përkohësisht të drejtë studentëve, të cilët bojkotuan rreth një muaj vitin e ri akademik 2023-2024./Zëri.ai