TIRANË- Në nënkomisionin e Ligjeve është hedhur këtë të enjte shorti për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve. Kështu në bazë të shortit, dy kandidaturat që u përzgjodhën për Këshillin e Lartë Gjyqësor janë Artan Reçi dhe Albens Tabaku. Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë u zgjodhën kandidaturat Saimir Kola dhe Erind Mërkuri. Pas kësaj përzgjedhjeje, emrat do të dërgohen në Kuvend dhe nëse nuk marrin shumicën prej 84 votash, do të rikthehen në nënkomision për ripërtëritjen e procedurës.
Ndërkohë, në lidhje me këtë procedurë përzgjedhjeje, disa ditë më parë (7 Qershor) Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë është shprehur kundër. Sipas selisë diplomatike, emrat për vakancat duhet të përzgjidhen përmes një procedure reale dhe jo duke ia lënë rastësisë, nëpërmjet një shorti. Ndërkohë shtonte se po e ndiqte me shumë vëmendje procedurën.
Reagimi i Ambasadës së SHBA-së:
Ambasada e SHBA po ndjek nga afër procesin e sotëm të nënkomisionit parlamentar për përzgjedhjen e anëtarëve nga radhët e avokatëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë – gjë që mund të sigurohet vetëm nga përzgjedhja reale e kandidatëve nga nënkomisioni në vend që t’i drejtohet rastësisë përmes një shorti. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe garanton shtetin e së drejtës./ZËRI