Politikë

Kuvendi përgatitet për kaos/ Bardhi: Nikolla urdhër Gardës! Kuvendi: Fake news!

Sinjali i parë erdhi që ditën e djeshme nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili tha se shqiptarët do të shohin në Kuvend qëndresën e opozitës.

k.m.
Kuvendi përgatitet për kaos/ Bardhi: Nikolla urdhër Gardës!
Pamje nga Kuvendi

TIRANË- Partia Demokratike, përveç Partisë së Lirisë dhe grupimit të deputetëve që mbështesin Lulzim Bashën, kanë paralajmëruar kaos në Kuvend. Sinjali i parë erdhi që ditën e djeshme nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili tha se shqiptarët do të shohin në Kuvend qëndresën e opozitës. Po dje, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi heshti.

Por sot, e ka marrë ai përsipër drejtimin e aksionit në seancën plenare të ditës së hënë (20 nëntor) kur është lajmëruar të shqyrtohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm. Sot përmes një reagimi Gazment Bardhi pretendon se në seancën e të hënës kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla ka urdhëruar Gardën që të rrethojë sallën. Madje dhe ka nxjerrë një foto për të cilën pretendon se Garda e Republikës po bën prova për t'u përballur me deputetët. Madje theksoi se ky është një akt i paprecedentë në 32 vite demokraci.

Kuvendi përgatitet për kaos/ Bardhi: Nikolla urdhër Gardës!
Fotoja e publikuar nga Bardhi

"Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës! Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës. Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës,"-shkruan Bardhi. 

Pas pretendimeve të Bardhit ka ardhur edhe një reagim jozyrtar nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Për disa prej mediave në vend, burime nga Kuvendi hodhën poshtë pretendimin se kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka dhënë urdhër për shtim të masave. Reagim që ka shkaktuar sërish koment nga Bardhi. Sërish, përmes një postimi në rrjete sociale, Bardhi i ka qëndruar sërish versionit të tij duke e cilësuar si "lajm të rremë' reagimin e Kuvendit.

"Kuvendi ka shpërndarë një lajm të rremë për mungesën e masave të posaçme autoritare për seancën e të hënës. Foto e publikuar është bërë sot, ku forcat speciale të Gardës po ushtronin planin për rrethimin e deputetëve të opozitës, në një akt të paprecedent në këto 32 vjet. Ka një keqkuptim me reagimin tim dhe për këtë “burimi anonim” i medias ka të drejtë: Lindita nuk jep urdhëra, ajo vetëm zbaton atë që urdhëron Edi Rama! E vetmja detyrë e saj është të hap dhe mbyll derën e zyrës!"

Ndërkohë, ende, nuk ka asnjë lajmërim nga ana e deputetëve të Partisë së Lirisë për t'ju bashkuar aksionit të partnerëve të tyre në koalicion, "Bashkë fitojmë". As më herët, Erisa Xhixho, Monika Kryemadhi dhe as Petrit Vasili nuk i janë bashkuar kolegëve të tyre demokratë. Edhe pse, kreu i PL-së, Ilir Meta ka deklaruar nga distanca se i mbështet aksionet e opozitës.

Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, me pretendimin se do të rikthejnë parlamentarizmit, pas refuzimit që i ka bërë PS disa prej kërkesave të tyre, që është ngritja e komisioneve hetimore, si dhe zgjedhja e bashkëkryetarit të komisionit për Reformën Zgjedhore. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave.

Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj, çështja mes të cilëve është marrë nën hetim nga SPAK. Aksioni i opozitës në Kuvend, nisi vetëm 2 ditë përpara se Sali Berisha të merrej nën hetim nga SPAK për korrupsion, ndërkohë që u vu në pranga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Maxhoranca nga ana e saj ka kaluar ligjet në Kuvend, mes tymit dhe tensioneve, ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm në asnjë prej seancave që janë zhvilluar./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB