Politikë

Ç'do ndodhë? Kuvendi maratonë për pr/buxhetin 2024, PD paralajmëron tensione, heshtje nga PL

Se në çfarë forme do të jetë aksioni i radhës, ende nuk ka asnjë të dhënë nga opozita.

k.m.
Ç'do ndodhë? Kuvendi maratonë për pr/buxhetin 2024,
Sali Berisha

TIRANË- Të hënën Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet për të diskutuar projektbuxhetin e vitit 2024. Por duket se edhe e hëna nuk do të kalojë pa tensione, ose të paktën, kështu ka lënë të kuptohet kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Pas mbledhjes së grupit të deputetëve demokratë në selinë e Kuvendit, Berisha ka thënë edhe fjalën e tij nga Kryesia e Kuvendit: Shqiptarët do të shohin ditën e hënë qëndresën e fuqishme të përfaqësuesve të opozitës!

Se në çfarë forme do të jetë aksioni i radhës, ende nuk ka asnjë të dhënë.

"Deputetët e PS-së mund ta quajnë të miratuar buxhetin, pa votim fare. Se nuk kanë nevojë për votim ata, janë futur në zoom, klandestinitet. Nuk njohin ata asnjë rregull. E rëndësishme është se shqiptarët do të shohin ditën e hënë qëndresën e fuqishme të përfaqësuesve të opozitës, për të drejtat kushtetuese të popullit opozitar në parlament. Kemi betejë pa kthim. Ju lutem, ndiqni dhe do ti mësoni live të gjitha aspektet e saj,"-tha Berisha.

Por ndryshe nga Berisha, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi zgjodhi heshtjen, duke shtuar më shumë pikëpyetjet lidhur me atë që ka menduar për të hënën opozita. Deri më tani kanë grumbulluar karriget në Foltore, apo dhe ndezja e flakadanëve në sallë, tashmë janë ezauruar. Por nuk përjashtohet mundësia që të përsëriten, edhe pse vetëm pak ditë më parë 4 punonjës të Gardës së Republikës u pezulluan nga detyra për shkak se nuk kontrolluan çantat e deputeteve Lindita Metaliaj dhe Elda Hoti, të cilat kishin fshehur flakadanët në çantat e tyre.

E paqartë është edhe pjesëmarrja e deputetëve të Partisë së Lirisë në aksionin që lajmëroi Berisha sot nga Kryesia e Kuvendit. Që prej nisjes së aksionit opozitar që ka shkaktuar edhe tensione e përplasje mes deputetëve të dy palëve, të zgjedhurit e PL-së kanë qëndruar të distancuar. Që nga kreu i PL-së, Ilir Meta, deri tek të tjerët, kanë zgjedhur që të dënojnë maxhorancën nga distanca, por pa u përfshirë në përplasjet fizike. Mbetet për t'u parë nëse edhe të hënën do të veprojë po njësoj.

Prej seancës së datës 19 Tetor, opozita ka radikalizuar aksionin e saj parlamentar, me pretendimin se do të rikthejnë parlamentarizmit, pas refuzimit që i ka bërë PS disa prej kërkesave të tyre, që është ngritja e komisioneve hetimore, si dhe zgjedhja e bashkëkryetarit të komisionit për Reformën Zgjedhore. Në seancën e datës 19 Tetor, opozita u ngujua në sallë për disa orë, ku mungonte energjia elektike, pasi fillimisht kishin zaptuar karriget e ministrave.

Ndërkohë që në seancën e datës 30 Tetor, pati dhe përplasje fizike mes palëve, ku Bledion Nallbati tentoi të godiste me grusht deputetin Vullnet Sinaj, çështja mes të cilëve është marrë nën hetim nga SPAK. Aksioni i opozitës në Kuvend, nisi vetëm 2 ditë përpara se Sali Berisha të merrej nën hetim nga SPAK për korrupsion, ndërkohë që u vu në pranga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Maxhoranca nga ana e saj ka kaluar ligjet në Kuvend, mes tymit dhe tensioneve, ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm në asnjë prej seancave që janë zhvilluar./Zëri.ai

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB