
TIRANË- Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në orën 16:00 pritet të shqyrtohen kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Bardhi ka kërkuar ngritjen e dy komisioneve hetimore, për sistemin TIMS dhe PPP në Shëndetësi.
Në kërkesë propozohet që Komisioni të ketë 15 anëtarë, 6 nga grupi i PD dhe 8 nga grupi i PS, ndërsa afati i tij të jetë për një periudhë kohore 4 mujore. Në dokumentin e dorëzuar nga Bardhi, thuhet se projektvendimet janë dakordësuar edhe me mazhorancën. Në mbledhjen e sotme pritet të dilet me një vendim mbi këto kërkesa.
PPP në Shëndetësi
Lidhur me komisionin për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check up në Shëndetësi, objekti i hetimor do jetë:
(i) Shqyrtim i çështjeve të lidhura me kontratat publike për shërbimin publik të sterilizimit dhe atë të check-up në shëndetësi. si dhe zbatimin e tyre:
(ii) Vlerësimi i nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.
3. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit.
Sistemi TIMS
Ndërkohë, komisioni për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS ka për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) Shqyrtimin e çështjeve lidhur me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS: dhe
(ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative apo, ndërhyrjet ligjore në legjislacionin përkatës në fuqi.
3. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve, duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë, parimin për një proces të rregullt ligjor, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e paanshmërisë dhe i respektimit të jetës private të individit./ZËRI