
TIRANË-Komisioni i Ligjeve ka miratuar në mbledhjen e sotme ngritjen e nënkomisionit për vakancat në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Nga radhët e mazhorancës, anëtarë do të jenë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi. Ndërsa nga radhët e opozitës anëtarë do të jeën Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi.
Në listën përfundimtare të paraqitur nga Kuvendi, nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ, në vendin e parë renditet Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola. Ndërsa listën e kandidatëve për dy vendet vakante në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj akuzoi mazhorancën se po tenton që të emërojë në drejtësi njerëzit e saj me qëllim për të kapur SPAK.
“Ka skualifikuar 6 kandidatë. Në pamje të parë ka një gjë ose avokati i popullit ka dështuar për të vlerësuar kriteret kushtet dokumentacionin, ose sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, një vartës i mazhorancës në një kohë shumë të shkurtër ka vepruar politikisht. Nga analiza sesi parlamenti i është qasur sistemit gjyqësor kjo është një lëvizje politikisht e orientuar atë që ka ekzekutuar Sekretari i Përgjithshëm. Kjo tregon se cila është qasja juaj me sistemin e pavarur. Vazhdon e njëjta histori për të kapur organet e drejtësisë. Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm spastrohen ato që nuk janë në oborrin e mazhorancës dhe lihen ata që nuk janë në oborrin e mazhorancës. Janë shkualifikuar 4 nga kandidatët që Avokati i Popullit i ka renditur me pikë më lart. Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPA,"-tha Alibeaj.
Dispozitat ligjore parashikojnë që 4 kandidatët për 2 vende vakante në KLGj dhe 2 në KLP i nënshtrohen votimit në seancë plenare pasi zgjidhen nga kjo listë me konsensus politik (4 vota pro) nga 5 anëtarët e nënkomisionin të ligjeve që ngrihet për këtë synim. Ky nënkomision ka të drejtë gjithashtu që me 4 vota të rikthejë në garë kandidatët e skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm. Kur mungon konsensusi, emrat nga lista zgjidhen me short dhe nëse Kuvendi dështon në 3 votime radhazi që të zgjedhë me 84 vota anëtarët e rinj të KLGJ-së e KLP-së, quhen automatikisht të emëruar ata që shorti i ka zgjedhur për raundin e tretë. Procesi do të nisë pasi Sekretari i Përgjithshëm të përpilojë dhe raportin e vlerësimit për kandidatët që vijnë nga radhët e shoqërisë civile, nga të cilët do të zgjidhet anëtari i 3-të për vendet vakante në KLGJ dhe KLP.
Po ashtu gjatë mbledhjes u diskutua edhe situata në burgje, pas grevës së urisë në regjimin 41-biss. Avokatja e Popullit Erinda Ballanca tha se të dënuarit kanë humbur brenda dy muajve nga 10 kg ose më shumë.
"Kushtet e jetesës për shkak të mbipopullimit është i vetmi sektor që ka mbipopullim skandaloz. Personat të cilët duhet të shërohen jo vetëm si shërojmë dot por i mbajmë në kushte të rënda. Duket larg data kur të kemi një adresim thelbësor të kësaj problematike. Ka pamjaftueshmëri për të burgosurit. Dhe ku duket pamjaftueshmëri është në sistemin 41 bis. Në Shqipëri ka numër të lartë të të paraburgosurve. Kemi numër tmerrësisht të lartë të paraburgimit. Këshilli i Europës thekson se personat që janë dënuar me burg përjetë nuk kanë shpresë që nëse sillen mirë, do të mund të dalin ndonjë ditë nga burgu. Çështjet e të drejtave të njeriut duhet të avancojnë në Shqipëri. Gjithmonë ka vend për përmirësim në lidhje me cilësinë dhe garantimin e kushteve brenda sistemit penicitar. Ne kemi patur një problematikë në paraburgim. Mbipopullimi sot është vetëm në paraburgim. Numri ka kaluar 60% të popullatës së burgjeve që janë të paraburgosur. Ka një problem që takimet me familjarët në paraburgim jepen vetëm me lejen e prokurorit. Në rekomandimet që kemi kryer është që vijon të jetë problematike shpërndarja e burgjeve. Në burgjet me të këqija infrastrukturore, Tepelena psh, kemi mbipopullim. Sepse edhe për shkak të hartës gjyqësore personat do t’i mbash atje, nuk i dërgon në vend tjetër edhe për shkak të hartës gjyqësore,"-u shpreh Balanca.
Ballanca tha se Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për frymë banori. Sipas Ballancës, problem mbetet fakti që në vendin tonë jepet në shumë raste masa më e ashpër e sigurisë, ajo e arrestit me burg./ZËRI