TIRANË- Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka folur për "luftën" që pësoi pas zgjedhjeve të 11 majit, me Endri Shabani. Gjatë një interviste së fundmi, Lapaj nuk kurseu komentet për mandatin e humbur për deputet, teksa për këtë ai deklaroi se u tradhtua nga bashkëpunëtori i tij duke e krahasuar me Hamza Kastriotin dhe Juda Iskariotin
"Rregullorja i përcakton deputetët që nuk janë pjesë e një grupi parlamentar, nuk janë pjesë komisioni. Do flasim përmes akteve juridike. Politikisht nuk deshëm por na detyruan. Nuk është për tu parë si fatalitet. Por duhet të merret sinjali qartë, u bë çdo gjë për ta ndalur këtë lum njerëzish. Nuk do e arrijnë dot.
Këtë kemi bërë që nga shkolla deri tani. Kur e bënim këtë kur nuk e dinim sa njerëz nga mbështesin jo më tani që e dimë se janë 80 mijë njerëz që na presin. E vetmja gjë që kërkuam ishte gara. Isha një nga të paktët që fituam që e rendita veten në listë të hapur, për të dhënë mesazh që liderët duhet të garojnë. Nuk duhet ta fusin veten qyl aty. Duhet të ndjej keqardhje dhe turp që shkuam aty me përfaqësim cilësor. Na tradhtuan por ndodh. Kaini tradhtoi Abelin. Skënderbeun e tradhtoi Hamzai. Krishtin e tradhtoi Juda Iskarioti.
Nuk pretendojmë se kemi aftësi më të mëdha se Biri i Perëndisë. Ata që na dëgjojnë duhet ta trajtojnë ekztaktësisht kështu. A duan të tradhtohen në kauzat e tyre? Kush na tradhton ne? E di gjithë Shqipëria, ata që flisnin për listat e hapura. Dhe pastaj nuk lejuan të aplikohet. Kjo është e vërteta e madhe.", u shpreh Lapaj.
"Kriza" në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkonte të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohej i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), venosi më 30 korrik që mandati i vetëm i fituar nga Nisma Shqipëria Bëhet në qarkun e Tiranës, t'i kalonte të parës së listës së mbyllur, Ana Dajko./ZËRI