Politikë

Mandati i Olta Xhaçkës, Ambasada e SHBA-së: Qeveria të respektojë ligjin, Parlamenti shpërfilli vendimin e GJK

SHBA kërkon që qeveria dhe institucionet t’u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës. 

F.I
Mandati i Olta Xhaçkës, Ambasada e SHBA-së: Qeveria të
Olta Xhaçka

TIRANË-Ambasada e SHBA-së ka reaguar pas votimit të djeshëm në Kuvend, ku socialistët penguan dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, të mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka. Ambasada ka ndarë shqetësimin në lidhje me vendimin e djeshëm në Kuvend, teksa e quan shpërfillje të Gjykatës Kushtetuese. SHBA kërkon që qeveria dhe institucionet t’u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës. 

Reagimi i plotë:

Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për vendimin e djeshëm në parlamentin e Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vuri në dukje kryeparlamentari së fundmi, marrja e hapave të nevojshëm për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përgjegjësi thelbësore e Parlamentit dhe është gjithashtu thelbësore për parimin e ndarjes së pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet t’u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës – të gjitha këto janë vendosur për të siguruar që një sistem demokratik të jetë i shëndetshëm dhe i lulëzuar.

Me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi mbrëmë pas mesnate, që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit. Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca./ZËRI

Poll

MOS HUMB