
TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka diskutuar disa "tema të nxehta" në një intervistë të dhënë për "Zërin e Amerikës", ku mes të tjerave ka përmendur votën e emigrantëve, kritikat dhe mandatin e ish-kryediplomates, Olta Xhaçka. Për këtë të fundit, duke qenë se Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim, që ende nuk është konsideruar nga Kuvendi i Shqipërisë, Zaçaj nuk i kurseu kritikat. Ajo u shpreh se çdo vendim i marrë nga GJK duhet që të respektohet, pasi vetëm kështu respektohet edhe Kushtetuta.
"Është një pyetje e përsëritur për Gjykatën dhe për mua personalisht. Është e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e GJK duhet të zbatohen dhe zbatimi i tyre përbën zbatim të vetë Kushtetutës. Kështu që fjalët janë të tepërta për të dhënë një mesazh tjetër. Çdo vendim duhet të zbatohet! Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka mekanizëm tjetër. Është e pamundur që të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e GJK. Kështu që nuk mbetet shumë për të interpretuar. Gjykata përveç kësaj që shpreha nuk bën dot një deklaratë tjetër, institucionet duhet të sillen në mënyrë kushtetuese Fakti që kemi një vendim nuk e ndryshon qasjen e Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen nuk kanë ekuivok. Vendimet janë të vetëzbatueshme,"-tha ajo ndër të tjera.
Në lidhje kritikat e opozitës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen Rama-Meloni, kryetarja e kësaj gjykate, Holta Zaçaj, është shprehur se respektojnë mendimin ndryshe, por si një mendim që i takon publikut.
“Pjesën e kriticizimin e shohim si vlerë e lirisë së demokracisë në lidhje me zbatimin e të drejtës për t’u shprehur, por përtej saj vendimi i gjykatës ka argumentet. Respektojmë mendimin ndryshe, por si një mendim që i takon publikut. Ne vlerësojmë shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e fjalës, që është një nga liritë më të rëndësishme në Kushtetutë. Vendimi i gjykatës është ai që jepet dhe ne nuk komentojmë përtej saj. Patjetër pas çdo vendimi të gjykatë ka palë që mbeten të pakënaqura, siç ndodh në çdo vendimmarrje tjetër të çdo gjyqësori. Pjesën e kriticizimin e shohim si vlerë e lirisë së demokracisë në lidhje me zbatimin e të drejtës për t’u shprehur, por përtej saj vendimi i gjykatës ka argumentet. Respektojmë mendimin ndryshe, por si një mendim që i takon publikut,"-u shpreh ajo ndër të tjera.
Po ashtu, komentoi edhe disa çështje të tjera të lidhura me vendimet e dhëna lidhur me votën e emigrantëve apo rihapjen e dosjes së Butrintit, duke theksuar edhe njëherë se vendimet duhen respektuar. Në rastin e votës së emigrantëve, shtoi se mospërfshirja në Kodin Zgjedhor tregon shumë për demokracinë që kemi. Ndërsa për vendimet e marra me ndarjen e gjyqtarëve duke dhënë vendime "5 me 4" (nga 9 anëtarë gjithsej), Zaçaj tha se është shenjë e demokracisë së institucionit.
Vota e emigrantëve: Fakti që kemi një vendim apo një tjetër, nuk e ndryshon qasjen për zbatimin e vendimeve të saj. Vendimet e Gjykatës duhet që të zbatohen, nuk është lënë në çmim të politikës që të vendosi sesi dhe në çmënyrë duhet që të zbatojë vendimet. Çdo vendim që nuk përkon me atë të Kushtetueses nuk është i duhuri. Është një indikator i llojit dhe stadit të demokracisë që kemi.
Vendimet e marra "5 me 4": Kjo është shenjë e demokracisë, tregon se gjyqtarët janë të pavarur dhe nuk veprojnë nën presion. Ne e shohim si një shenjë të demokracisë së brendshme.
Çështja e Butrintit: Riçelja është procedurë që parashikohet në Gjykatë, ndodh vetëm kur një provë e caktuar bëhet e ditur që ekziston. Gjyqi në GJK bazohet në dokumente, palët mbajnë përgjegjësi, por nuk është një gjyq penal. Deri në atë moment përfaqësuesit e qeverisë thanë që nuk e dispononin atë raport, por më pas doli që ishte dërguar nga UNESCO. Prandaj e përdorëm për të arritur sa më afër të vërtetës. Çdo organ mban përgjegjësitë e veta.
INTERVISTA: